Nations League/ Shqipëri spektakolare në “Epet Arena”, kuqezinjtë përmbysin Ukrainën & fitojnë 2-1 - FSHF

Nations League/ Shqipëri spektakolare në “Epet Arena”, kuqezinjtë përmbysin Ukrainën & fitojnë 2-1

Shqipëria debutoi me fitore në edicionin e ri në UEFA Nations League. Djemtë kuqezi triumfuan në Pragë në stadiumin “Epet Arena” kundër Ukrainës me rezultatin 2-1.

Një ndeshje e dominuar nga Shqipëria që krijoi raste të shumta shënimi dhe triumfoi falë golave të Ardian Ismajlit dhe Jasir Asanit.

Trajneri Silvinjo e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Ukrainës: Thomas Strakosha (GK), Elseid Hysaj (C), Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Mario Mitaj, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Jasir Asani dhe Rey Manaj.

Ndeshja nisi e qetë dhe minutat e para ishin të barabarta për të dyja ekipet. Shqipëria krijoi rastin e parë të rrezikshëm në minutën e 9-të. Një aksion spektakolar në krah nga Mario Mitaj i cili pasoi saktë në zonë për Laçi, por goditja e tij përfundoi jashtë.

Minutat në vazhdim folën vetëm për Kombëtaren kuqezi që krijoi raste të shumta shënimi. Në të 21-të Asllani harkoi në shtyllën e parë, por Laçi dhe Manaj nuk ia dolën ta dërgonin topin në rrjetë.

Sërish Shqipëria në minutën e 31-të, këtë herë ishte Jasir Asani që me kokë ktheu topin në qendër, por në zonë nuk ishte asnjë lojtarë kuqezi për ta dërguar në rrjetë.

Kuqezinjtë krijuan përsëri dhe në të 39-ën ishte Kristjan Asllani pranë një goli shumë të bukur, por goditja e mesfushorit u devijua nga portieri kundërshtar. Më pas nga goditja e këndit ishte Laçi që i shkoi shumë pranë një supergoli me thembër.

Një pjesë e parë e dominuar me raste të shumta nga djemtë kuqezi, por pa gjetur rrugën e rrjetës.

Fraksioni i dytë nisi më mirë për Ukrainën që gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 49-të me Konoplya.

Megjithatë përgjigja e Shqipërisë ishte e menjëhershme. Në të 54-ën Ardian Ismajli vendosi baraspeshën. Pas një goditje nga këndi, topi shkon te mbrojtësi kuqezi që e dërgoi në rrjetë.

Ismajli u shfaq rrezikshëm sërish në të 62-ën, pas një harkimi nga këndorja nga Jasir Asani, por goditja me kokë e mbrojtësit u ndal nga portieri kundërshtar.

Shqipëria përmbysi rezultatin dhe mori avantazhin në minutën e 66-të me Jasir Asanin. Një aksion spektakolar i kuqezinjve me protagonist Rey Manajn i cili asistoi saktë për Asanin që me të majtën e dërgoi topin në rrjetë.

Në vazhdim trajneri Silvinjo kreu dy zëvendësime, duke aktivizuar Medon Berishën dhe Arbër Hoxhën.

Në të 83- ën pas një goditje nga këndi të Asanit, Rey Manaj tentoi me kokë por goditja shkoi jashtë ngjitur me shtyllën.

Djemtë kuqezi administruan deri në fund avantazhin dhe morën një fitore të madhe në “Epet Arena”.

Shqipëria do të luajë të martë më 10 shtator ndeshjen e dytë në UEFA Nations League ndaj Gjeorgjisë në stadiumin  “Air Albania”, në orën 20:45.