MIQËSORE/ SHQIPËRI 0-0 JORDANI - FSHF

MIQËSORE/ SHQIPËRI 0-0 JORDANI

Kombëtarja shqiptare e futbollit e drejtuar nga trajneri Christian Panucci, ka barazuar me rezultatin e bardhë, 0-0 në miqësoren e zhvilluar përballë Jordanisë, sonte në mbrëmje ora 20:00 në stadiumin “Elbasan Arena”. Shqipëria ka krijuar disa raste shënimi por pa mundur dot të gjejmë rrjetën e portës jordaneze. Përfaqësuesja jonë e filloi ndeshjen me këtë formacion: Berisha, Lila, Djimsiti, Grezda (’46 Uzuni), Manaj, Xhaka (’46 Balaj), Mavraj (’56 Dermaku), Binaku (’61 Lenjani), Mihaj (’10 Veseli), Ramadani (’46 Ndoj), Gavazaj. Kuqezinjtë në datën 14 tetor ora 20:45 do të luajnë në Izrael, ndeshjen e vlefshme për UEFA NATIONS LEAGUE.

Pas përfundimit të ndeshjes miqësore, trajneri Panucci për mediat u shpreh: “Kemi pasur 5-6 raste për të shënuar. U gjendëm përballë një skuare ku u rreshtuan 10 lojtarë për të mbrojtur. Ramë në konfuzionin e një skuadre që mbrohej. Katër ditë për tu rikuperuar shkojnë mirë. U kushtëzuam pak edhe nga dëmtimet, si Mihaj e Ramadani, por as Berat Djimshiti nuk mendohej të luante 90 minuta. Gjithsesi, kemi disa ditë kohë për tu rikuperuar. Elseid Hysaj, preferuam më shumë që të punonte. Vjen nga një muaj shumë i ngarkuar ashtu si dhe Basha me Memushajn. Ka pasur ngarkesë të madhe. Për sot nuk mund t’iu them asgjë për lojtarët. Kanë qenë serioz, dhanë gjithçka. Më vjen keq që nuk shënuam edhe pse krijuam shumë. Uzuni bëri ndeshje shumë të mirë, ka kualitete të mëdha. Edhe Grezda bëri shumë mirë. Kishim raste, çka është pozitive. Paraqitja e sotme na bën optimistë për ndeshjen në Izrael.”-ishin fjalët e trajnerit të kombëtares.