“Me ‘Playmakers’ vajzat e vogla mësojnë të luajnë futboll dhe bëjnë një jetë më të shëndetshme” - FSHF

“Me ‘Playmakers’ vajzat e vogla mësojnë të luajnë futboll dhe bëjnë një jetë më të shëndetshme”

Programi “Playmakers” që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n dhe kompaninën e famshme të filmave “Disney” vijon të gjitha shkollat e Shqipërisë për të dytin sezon radhazi.

Aktualisht po punohet me vajzat nga mosha 5 deri në 8 vjeç në shtatë qytete të Shqipërisë e më konkretisht në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier, Korçë e Lezhë me trajneret kanë zbritur në terren pas seminareve të zhvilluara në dhjetor të vitit të kaluar.

Vajza dhe gra të angazhuara në botën e futbollit, qoftë si futbolliste aktive qoftë si trajnere apo mësuese nga qytetet të ndryshme të vendit e të certifikuara nga FSHF kanë nisur nga puna në zonat respektive me vajza të moshave të vogla, të cilat nuk kanë qenë të angazhuara më parë me futbollin, duke i stërvitur përmes argëtimit me historitë e personazheve të preferuar të filmave për fëmijë.

“Playmakers” synon t’i afrojë vajzat e vogla me botën e bukur të futbollin, të zbatojë një qasje të re, të personalizuar të stërvitjes, që përdor imagjinatën (frymëzuar nga historitë dhe personazhet e filmave të Disney) si mjet për stërvitjen dhe të mësuarit e aftësive në futboll.

Gjithashtu, synon të përmirësojë aftësimin fiziko-teknik të vajzave dhe të nxisë një marrëdhënie të përhershme me futbollin në vazhdimësi. Përveç kësaj, programi synon të sigurojë më shumë mundësi miqësimi për vajzat për t’u përfshirë në futboll dhe për ta përdorur sportin për të ndihmuar vajzat që të bëjnë një jetë edhe më aktive.

Këtë të premte trajneret e “Playmakers”, Erjola Mema dhe Sara Banushi ishin në shkollën private në kryeqytet “Kristaq Rama” për seancën e përjavshme stërvitore me një grup vajzash, duke luajtur futboll e duke u argëtuar me personazhet e tyre të dashur të filmave vizatimorë.

“Projekti ‘Playmakers’ organizohet për të dytin vit radhazi në Shqipëri. sipas programit aplikohet në 16 seanca stërvitore të shtrira në katër muaj të ndara nga tetë për çdo kategori moshe. Aktualisht ne jemi dy trajnere që po punojmë në shkollën ‘Kristaq Rama’ çdo të premte me vajzat e vogla, të cilat kanë shfaqur dëshirë të madhe për të luajtur futboll. Përveçse luajnë futboll e argëtohen ato krijojnë miqësi të reja, fitojnë aftësi të reja sportive dhe gjithashtu janë edhe më të shëndetshme. Mendoj që projekti Playmakers është një nga proceset sportiv më të veçanta dhe një nga synimet kryesore të FSHF është që të angazhojë sa më shumë fëmijët e specifikisht vajzat, që të përfshihen në botën e futbollit. Besoj se me këtë projekt ky qëllim është organizuar”, – thotë Erjola Mema, trajnere e “Playmakers”.

Vajzat e vogla të shkollës janë shumë entuziaste dhe shfaqen shumë të gëzuara teksa luajnë futboll me shoqet e tyre. “Mua më pëlqen shumë futbolli, është sport shumë i bukur dhe më pëlqejnë personazhet e Disney me të cilat luajmë. Edhe kur të rritem më pëlqen të vazhdoj të luaj futboll”, thotë një prej tyre, teksa edhe një vajzë tjetër konfirmo dëshirën për të luajtur futboll kur të rritet. “Mua më pëlqen shumë futbolli sepse është një sport shumë i bukur që luhet me shoqet dhe argëtohesh. Është shumë e bukur të luash me personazhet e Disney. Kur të rritem dëshiroj të luaj futboll, sepse nuk është një sport vetëm për djem por edhe për vajza”. – shprehet ajo.

Programi “Playmakers”, i organizuar nga Federata e Futbollit synon të sigurojë më shumë mundësi miqësimi për vajzat që në vegjëli, ndërsa u mundëson vogëlusheve një jetë më aktive dhe më të shëndetshme.