Mbyllet me sukses kursi UEFA C në Tiranë, trajnerët e rinj rrëfejnë emocionet e diplomimit & objektivat - FSHF

Mbyllet me sukses kursi UEFA C në Tiranë, trajnerët e rinj rrëfejnë emocionet e diplomimit & objektivat

Kursi për trajnerët e licencës UEFA C, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit ka ardhur drejt finalizimit në qytetin e Tiranës me diplomimin e kursantëve që morën pjesë në këtë edicion. Në ceremoninë e rastit të organizuar sot me grupin e parë të kursit ishte i pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe drejtues të Sektorit të Edukimit në FSHF, të cilët kanë organizuar dhe janë kujdesuar për mbarëvajtjen e këtij programi për formimin e profesionistëve të rinj të trajningut.

Sekretari i Përgjithshëm, Shulku i uroi pjesëmarrësit për kompletimin e kursit dhe marrjen e licensës së trajnerit UEFA C, teksa shprehur dëshirën që ata të japin sa më shumë kontribut në të ardhmen në rolin e trajnerit kudo nëpër Shqipëri për të ndihmuar në zhvillimin e futbollit, duke nisur që nga baza.

Kursi i licencës UEFA C është i bazuar në katër shtylla që janë: trajneri, lojtari, ndeshja dhe ambienti, ndërkohë që kjo licencë është edhe baza e trajningut prej nga ku nis edhe rrugëtimi për t’u bërë trajner profesionist. Në këtë kurs kanë marrin pjesë ish-futbollistë, mësues të edukimit fizik, por edhe persona që janë të apasionuar pas futbollit dhe duan të zhvillojnë një karrierë në këtë sportin më popullor në botë.

Dy nga pjesëmarrësit në këtë kurs kanë rrëfyer emocionet e tyre për Fshf.org menjëherë pasi morën licensën UEFA C, duke treguar eksperiencën e tyre dhe duke shpalosur objektivat personalë.

Esmeralda Beshi shprehet se kursi i trajnerit ka qenë ndër eksperiencat më të bukura të jetës së saj dhe tashmë shpreson të nisë sa më parë këtë aventurë me futbollin e fëmijëve dhe veçanërisht atë të vajzave.

“Jam Esmeralda Beshi, kam mbaruar studimet në Universitetin e Sporteve të Tiranës, baçelorin dhe masterin shkencor. Si një ish-futbolliste tani i kam hyrë rrugës së trajnimit. Sot morëm me licencën e trajnerit të nivelit UEFA C, që është baza për hapat e para në rrugën e trajnimit dhe që njëkohësisht i jep akoma më shumë prioritet edhe zhvillimit të futbollit të vajzave në Shqipëri. synimi është për ta vazhduar këtë rrugëtim edhe me formimin e mëtejshëm, por duhet ta nisim nga baza, nga futbolli i fëmijëve për të vazhduar me kurset e licensave të tjera që organizon FSHF si UEFA B, UEFA A dhe pse jo UEFA PRO.

Kursi ishte i organizuar shumë mirë dhe njohuritë që morëm ishin shumë cilësore për të na ndihmuar në të ardhmen në karrierën tonë si trajner. Ka qenë një ndër eksperiencat më të bukura të jetës sime dhe ky është vetëm fillimi. Falënderoj FSHF-në për këtë mundësi që na jep dhe gjithashtu që po i jep mbështetje prioritare zhvillimit të futbollit të vajzave dhe fëmijëve në Shqipëri”, – tha Beshi.

Ndërsa, Sokol Backa, i cili jeton në Francë dhe luan gjithashtu futboll për pasion, thotë se ka realizuar një ëndërr për t’i hyrë rrugës së trajnimit dhe vlerëson gjithashtu nivelin e kurseve të organizuara nga FSHF si tepër cilësorë.

“Quhem Sokol Backa, kam pasur një karrierë futbollistike dhe për momentin aktivizohem me futbollin, por dëshira ime më e madhe ka qenë ajo për të ndjekur rrugën e trajnimit. Jo vetëm pasioni, por dëshira për të ndihmuar edhe të tjerët, më të rinjtë, që të arrijnë në nivelet më të larta të futbollit. Me eksperiencën e licensës UEFA C mund të them atë shprehjen një fillim i mirë është gjysma e punës dhe ka qenë kënaqësi të punoj me profesorët e kursit, si nga ana teorike dhe nga ana praktike do të ishte diçka shumë e bukur të vazhdoja me kurset e niveleve UEFA B, UEFA A dhe më lart. Momentalisht jetoj në Francë, kam dy djemtë e mi që luajnë gjithashtu futboll, njëri luan me Lensin, ndërsa tjetri me ekipet amatore. Kam qenë gjithmonë në kontakt të vazhdueshëm me futbollin, duke luajtur vetë për pasion, por edhe duke ndjekur fëmijët në seancat e tyre stërvitore me ekipet”, – thotë Backa për Fshf.org.

Javën e ardhshme do të zhvillohet edhe ceremonia e diplomimit me pjesëmarrësit e grupit tjetër të Tiranës, teksa siç është bërë e ditur kursi për licensën UEFA C po zhvillohet njëkohësisht edhe në Shkodër, Fier, ndërsa pritet të nisë edhe në Korçë për të shkuar më afër komuniteteve.

Të gjithë personat që pajisen me licencën e trajnerit UEFA C kanë mundësinë të trajnojnë skuadra në futbollin amator. Por, edhe mund të punojnë si zëvendës-trajnerë me ekipet e moshave që marrin pjesë në kampionatet e të gjitha niveleve të organizuara nga FSHF në vend.