Mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës, miratohen vendime të rëndësishme për mbarëvajtjen e futbollit - FSHF

Mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës, miratohen vendime të rëndësishme për mbarëvajtjen e futbollit

Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës është mbledhur në ambientet e stadiumit “Niko Dovana” për të diskutuar në lidhje me çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me futbollin në këtë qark dhe për të marrë vendime të rëndësishme për mbarëvajtjen e aktiviteteve futbollistike.

Në punimet e asamblesë morën pjesë 23 anëtarë të përfaqësuara nga 33 delegatë, ndërsa në rendin e ditës ishin diskutimi i raportit të aktivitetit të Shoqatës, miratimi i pasqyrave Financiare, miratimi i buxhetit për vitin 2023 si edhe zgjedhja e delegatëve që përfaqësojnë SHRFD në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF.

Pas verifikimit të delegatëve të Asamblesë, kryetari i SHRFD, Mikel Furxhi mbajti një fjalë ku njohu anëtarët me aktivitetet e zhvilluara nga kjo shoqatë si edhe me arritjen e objektivave, teksa ka pasur rritje të ekipeve dhe rritje të numrit të lojtarëve që janë angazhuar në futboll.

Pasi përmendi disa nga kompeticionet e organizuara përgjatë vitit 2022 nga SHRFD, Furxhi theksoi se prioritetet e shoqatës janë evidentimi i futbollistëve të spikatur në ekipet e moshave, ndërsa theksoi risinë kryesore të këtij sezoni, që është implementimi i projektit madhor të FSHF “Uniforma Ime”.

Qëllimi i SHFRD në këtë katërvjeçar është rritja e numrit të fëmijëve që merret me futboll (djem dhe vajza), si dhe një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përmirësimit të kushteve të infrastrukturës, si një element i rëndësishëm për zhvillimin e brezave të ardhshëm.

Më pas u vijua me miratimin e pasqyrave financiare dhe buxhetit, si edhe me zgjedhjen e delegatëve që do të përfaqësojnë SHRFD në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF të propozuar nga anëtarësia. Pas votimit të anëtarëve të SHRFD u zgjodhën delegatë Mikel Furxhi, Fiqiri Mansaku dhe Fatos Kuçi.