Legjionarët/ Fundjavë pozitive për kuqezinjtë në Europë - FSHF

Legjionarët/ Fundjavë pozitive për kuqezinjtë në Europë

Fundjava që sapo lamë pas pa shumë nga futbollistët e Kombëtares shqiptare të zbrisnin në fushë e të jepnin kontributin e tyre me klubet ku aktivizohen. Gjatë kësaj fundjave u regjistruan dy gola që erdhën pikërisht nga sulmuesit shqiptare e që ishin mjaft të vlefshme për skuadrat përkatëse.

Taulant Seferi gjeti golin e dytë me ekipin e tij Vorskla në Ukrainë, teksa në minutën e 19-të të takimit, sulmuesi shqiptar shfytëzoi pasimin e mirë të shokut të skaudrës për të dërguar topin fort në fundin e rrjetës.

Pas golit të realizuar në miqësoren ndaj Arabisë Saudite me Kombëtaren shqiptare, Bekim Balaj shënoi një tjetër gol, kësaj radhe në Turqi, me ekipin e tij, Keciorengucu. Djaloshi shqiptar u fut në lojë në minutën e 78-të dhe gjeti golin në minutat shtesë të ndeshjes pasi u gjend i lirë në zonë pas asistit të marrë nga shoku i skuadrës, teksa e pati të lehtë të mposhte portierin e kundërshtarëve. Sipas uebsajtit të specializuar për statistika, sulmuesi shqiptar vlerësohet me notën 7.3 për 12 minuta lojë.

Indrit Tuci ishte gjithashtu protagonist në Kroaci, teksa në minutën e 95-të gjeti golin e barazimit për Lokomotivën e Zagrebit, që po humbiste në shtëpi ndaj Hajdukut të Splitit. Pas një topi të kthyer nga goditja me kokë, Tuci godet fluturmithi me një predhë në trekëndësh, duke realizuar kështu një eurogol e duke i dhënë një pikë skuadrës së tij.

Një tjetër futbollist shumë i vlerësuar përgjatë kësaj fundjave është gardiani kuqezi, Elhan Kastrati, i cili ka qenë një lojtar kyç në radhët e Cittadella-s këtë fundjavë. 7.5 është nota e dhënë nga SofaScore, një notë mjaft e lartë, duke qenë edhe një nga lojtarët që u paraqit më mirë në radhët e skuadrës së tij. Nuk mungojnë paraqitjet e mira as nga Ivan Balliu, i cili luajti që nga minuta e parë me Rayo Vallecano-n, duke u vlerësuar me notën 7.3.

Si titullarë luajtën edhe futbollistët e tjerë të Kombëtares, Adrian Bajrami, Ylber Ramadani, Albi Doka, Nedim Bajrami, Endri Çekiçi, si edhe djaloshi kuqezi i Kombëtares së shpresave, Andreas Ndoj, i cili ka fituar një vend tejet të rëndësishëm në radhët e ekipit të Olympiacos-it në Greqi.

Minuta pati këtë fundjavë edhe për lojtarët e tjerë të Kombëtares, Armando Brojën, Berat Gjimshitin, Kristjan Asllanin, Odise Roshin, Keidi Baren, si edhe Ardian Ismajlin, i cili u rikthye në radhët e Empolit pas periudhës disa javore që qëndroi jashtë fushave për shkak të dëmtimit.