"Kursi i Mjekësisë Sportive në lartësinë e duhur", Doktor Brataj: Dhënia e ndihmës së parë është baza e çdo gjëje - FSHF

“Kursi i Mjekësisë Sportive në lartësinë e duhur”, Doktor Brataj: Dhënia e ndihmës së parë është baza e çdo gjëje

Edicioni i tretë i kursit të Mjekësisë Sportive që organizohet nga FSHF ka nisur që në muajin janar dhe temat e radhës që po zhvillohen në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” kanë të bëjnë me dhënien e ndihmës së parë (urgjenca ) BLSD dhe rianimimi Kardio-Pulmonar.

Ky program është i akredituar nga ASCKSHSH (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror) ndërsa i ftuar nga FSHF në rolin e lektorit ishte Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, i cili u shpjegoi kursantëve teknikat e ndihmës së shpejtë dhe mënyrën e trajtimit në një kohë sa më të shpejtë të problematikave shëndetësore që mund të ndodhin gjatë aktiviteteve sportive.

Në një prononcim për fshf.org, doktor Brataj shpjegoi mënyrën se si po zhvillohet kursi duke theksuar se është shumë e rëndësishme përfshirja e teorisë dhe praktikës për kursantët.

“Kursi i ndihmës së parë përfshin të gjitha llojet e urgjencave për t’i dhënë ndihmën e parë një personi në nevojë, qoftë nga persona që janë personel mjekësor ose nga ata që japin ndihmën e parë, të cilët duke bërë këtë lloj trajtimi mund t’i japin ndihmën e parë një personi në nevojë. Kursi është një program dy ditor. Në ditën e parë shikohen të gjitha patologjitë, të gjitha llojet e urgjencave që ndodhin dhe mënyra se si duhet vepruar.

Është shumë e rëndësishme çfarë të bëjmë dhe çfarë të mos bëjmë, duke parë atonominë, shkaqet, sëmundjet dhe se si vreprohet. Dita e dytë është më tipike pasi do të flitet për arrestin kardiak, llojet e arrestit kardiak dhe gjëja më e rëndësishme është që kursantët do të kalojnë të gjithë në praktikë, ku do të vendosin duart te manekini. Një skenar real ku ndodh një arrest kardiorespirator. Në qoftë se është e nevojshme goditja elektrike do të kenë në dispozicion edhe defribilatorët, në mënyrë që në qoftë se ndodh në realitet të jenë sa më të trajnuar dhe sa më afër realitetit. Bërja e masazhit kardiak, mbajtja në jetë e një personi është baza e çdo gjëje.” – tha fillimisht doktor Brataj, i cili shtoi se përgatitja e kursit nga ana e FSHF-së është në lartësinë e duhur.

“Përgatitja e këtij kursi është në lartësinë e duhur përsa i përket këtij mentaliteti dhe kësaj metode për shpëtimin e jetës dhe mbajtjen në jetë të personave” – përfundoi prononcimi e tij Skënder Brataj.