Kursi i Drejtorit Teknik nis më datë 3 qershor, aplikimet janë ende të hapura - FSHF

Kursi i Drejtorit Teknik nis më datë 3 qershor, aplikimet janë ende të hapura

Kursi i Drejtorit Teknik është një risi e FSHF-së që do të ngrejë siparin më datë 3 qershor. Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së vendosi në mbledhjen e fundit që ky kurs i rëndësishëm të organizohet edhe në vendin tonë nën mbikëqyrjen e Departamentit të Edukimit dhe Drejtorisë Teknike në FSHF.

Një kurs shumë specifik që do të zgjasë 8 muaj dhe që do të krijojë brenda një rruge teknike një figurë që të mund të drejtojë trajnerët përmes një metodologjie, strategjie dhe filozofie për të ndërtuar një talent të ri. Personat që mund të marrin pjesë në këtë kurs do të jenë ata të cilët janë të pajisur me një licencë UEFA PRO ose një licencë UEFA A.

Ashtu sikurse edhe kurset e tjera të organizuara nga FSHF, qëllimi është të rritet niveli i profesionistëve që punojnë pranë klubeve shqiptare, e kësisoj të rritet edhe niveli i futbollit shqiptar. Kur ka mbetur edhe pak ditë nga fillimi i kursit të Drejtorit Teknik, aplikimet janë ende të hapura dhe të gjithë të interesuarit fillimisht duhet të plotësojnë disa kritere.

Kandidatët për t’u regjistruar në Kursin e Drejtorit Teknik duhet të plotësojnë kriteret/kërkesat e mëposhtme:

  • Duhet të jenë nënshtetas shqiptarë;
  • Kandidati duhet të posedojë licencën UEFA A ose UEFA PRO
  • Kandidati minimalisht duhet të ketë diplomën e shkollës së mesme
  • Kandidati duhet të jetë pajisur me çertifikatë shëndetësore lëshuar nga organi përkatës (e marrë brenda 3 muajve të fundit);
  • Fotografi pasaporte;
  • Fotokopje e ID ose e Pasaportës;
  • CV

Kërkesa për regjistrim, duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën [email protected], përmes postës së zakonshme në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose të dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë në të njejtën adresë.

Për çdo informacion në lidhje me renditjen, aspektet logjistike dhe organizative të Kursit, kontaktoni Sekretarinë e Shkollës tek adresa e postës elektronike: [email protected].