Kupat e Europës / Klubet shqiptare njohin rivalët e turit të parë kualifikues - FSHF

Kupat e Europës / Klubet shqiptare njohin rivalët e turit të parë kualifikues

Është hedhur ditën e sotme në Nion të Zvicrës shorti për turin e parë kualifikues të ekipeve shqiptare që do të marrin pjesë në UEFA Champions League dhe UEFA Conference League.

Në UEFA Champions League, Shqipëria do të përfaqësohet nga ekipi kampion i Egnatias, që në raundin e parë do të ketë përballë skuadrën e Borac Banja Luka. Ndeshjet e para të turit të parë kualifikues do të zhvillohen më 9 dhe 10 korrik, ndërsa ato të kthimit një javë më vonë, më 16 dhe 17 korrik. Takimi i parë i Egnatias do të luhet në Bosnje Hercegovinë ndërsa i dyti në Shqipëri.

Ndërkohë, edhe në kompeticionin tjetër europian, UEFA Conference League, tre skuadrat shqiptare, Partizani, Vllaznia dhe Tirana, kanë njohur gjithashtu kundërshtarët e turit të parë.

Nënkampionët e Partizanit do të përballen me maltezët e Marsaxlokk, ndërsa Vllaznia do të ketë si kundërshtarë islandezët e Valur.  Tirana do të përballet me gjeorgjanët e FC Torpedo Kutaisi.

Ndeshjet e para të turit të parë kualifikues do të zhvillohen më 11 korrik, ndërsa ato të kthimit një javë më vonë, më 18 korrik.