Kupat e Europës / Klubet shqiptare njohin rivalët e turit të parë kualifikues - FSHF

Kupat e Europës / Klubet shqiptare njohin rivalët e turit të parë kualifikues

Është hedhur ditën e sotme në Nion të Zvicrës shorti për turin e parë kualifikues të ekipeve shqiptare që do të marrin pjesë në UEFA Champions League dhe UEFA Conference League.

Në UEFA Champions League, Shqipëria do të përfaqësohet nga ekipi kampion i Partizanit, që në raundin e parë do të ketë përballë bjellorusët e BATE Borisov, me ndeshjen e parë që luhet në Elbasan Arena më 11 korrik dhe ndeshjen e kthimit një javë më pas në një transfertë neutrale, kjo për faktin se skuadrat bjelloruse nuk mund të luajnë në shtëpi për shkak të konfliktit Ukrainë-Rusi.

Ndërkohë, edhe në kompeticionin tjetër europian, UEFA Conference League, tre skuadrat shqiptare, Tirana, Egnatia dhe Vllaznia, kanë njohur gjithashtu kundërshtarët e turit të parë.
Nënkampionët e Tiranës do të luajnë ndeshjen e parë në shtëpi ndaj gjeorgjianëve të Dinamo Batunit ndërkohë që Egnatia, fituese e Kupës së Shqipërisë, shorti i ka reservuar armenët e Ararat Armenia me ndeshjen e parë që debutuesit rrogozhinas do ta luajnë në transfertë. Vllaznia, e renditur në vendin e katërt në sezonin e sapo mbyllur të Abissnet Superiore do të luajnë ndaj irlandezoveriorëve të Linfield, gjithashtu në transfertë.