Kupa e vajzave/ Përcaktohet skema e re, datat dhe çiftet - FSHF

Kupa e vajzave/ Përcaktohet skema e re, datat dhe çiftet

Pas mbylljes së fazës së parë të kampionatit të vajzave në muajin dhjetor, më 22 janar pritet të rikthehet Kupa e Shqipërisë për këtë kategori. Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit ka përcaktuar edhe skemën e re se si do të funksionojë ky kompeticion i rëndësishëm këtë sezon, ku do të marrin pjesë 8 ekipe, ndërsa dy skuadrat e renditura në vendin e parafundit dhe të fundit, respektivisht Skënderbeu e Lushnja nuk do të marrin pjesë.

Kjo skemë është përllogaritur në bazë të renditjes së skuadrave pas përfundimit të fazës së parë, teksa ky edicion i Kupës pritet të ngrejë siparin më 22 janar. Ndërkaq, tetë skuadrat që do të marrin pjesë në këtë kompeticion janë: Vllaznia, Tirana, Apolonia, Partizani, Kukësi, Laçi, Teuta dhe Kinostudio.

Sipas skemës së përcaktuar nga Departamenti i Garave në FSHF, tetë ekipet do të ndeshen me njëra-tjetrën sipas kësaj formule: 8-1; 7-2; 6-3; 5-4;, ku numrat përkojnë me renditjen aktuale të ekipeve të vajzave pas fazës së parë. Ndeshjet do të luhen me sistem vajtje-ardhje, me takimet e para që do të luhen më 22 janar dhe përballjet e dyta më 29 janar. Më konkretisht, shorti i ndeshjeve të turit të parë është si më poshtë:

Kukësi- Vllaznia (22 janar), ora 14:00/ Vllaznia – Kukësi (29 janar)

Teuta- Tirana (21 janar), ora 12:00 /Tirana – Teuta(29 janar)

Laçi- Apolonia (22 janar), ora 12:00/ Apolonia – Laçi (29 janar)

Kinostudio- Partizani(21 janar), ora 14:00/ Partizani – Kinostudio(29 janar)

Ndërkaq, më pas ndeshjet e turit gjysmëfinal do të luhen në datat 5 dhe 12 shkurt, ndërsa Departamenti i Garave në FSHF do të përcaktojë në ditët në vijim edhe datën se kur do të luhet finalja e madhe. Kujtojmë që Vllaznia është shpallur 9 herë me radhë fituese e këtij kompeticioni kaq të rëndësishëm në futboll.