Kupa e Shqipërisë 2022-2023/ Tirana më pranë finales, Vllaznia barazon në fund me Egnatian - FSHF

Kupa e Shqipërisë 2022-2023/ Tirana më pranë finales, Vllaznia barazon në fund me Egnatian

U zhvilluan pasditen e kësaj të mërkure dy takimet e para të raundit gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë për sezonin 2022-2023.

Tirana mposhti Teutën me rezultatin 3-0 në një ndeshje të parë mjaft të bukur të zhvilluar në stadiumin ‘Elbasan Arena’, me bardheblutë hodhën një hap të rëndësishëm drejt finales së këtij edicioni. Florent Hasani i dha avantazhin kryeqytetasve, në minutën e fundit të pjesës së parë, teksa i gjendur brenda zonës durrsake u tregua i saktë, duke e dërguar topin në rrjetë. Në minutën e 67-të të pjesës së dytë, Bruno Lulaj dyfishoi rezultatin në 2-0, pas një devijimi të topit të tentuar më parë nga Behiratçe.  Tirana e trajnerit Orges Shehi vulosi pothuajse kualifikimin dhe biletën e parakohshme për në finale në minutën e 73-të me golin e Regi Lushkjes, i cili vulosi shifrat në 3-0 pasi nuk gaboi në përballjen me portierin Qirko.

Ndeshje mjaft e luftuar dhe emocionuese deri në minutën e fundit ishte edhe gjysmëfinalja tjetër mes Vllaznisë, fituesve në fuqi të Kupës së Shqipërisë dhe Egnatias, ekipit që vjen për herë të parë deri në këtë fazë. Takimi u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1, pas shumë mundësive nga të dyja skuadrat, që dhuruan spektakël nga porta në portë. Rrogozhinasit kaluan të parët në epërsi me Duamenan, i cili bën i vetëm gjithçka në minutën e 68-të të takimit. Shkodranët nuk dorëzohen dhe goli i barazimit vjen në minutën e fundit të shtesës, me Ardit Hoxhajn, i cili shënon me kokë në portën kundërshtare. Gjithçka mbetet e hapur mes Vllaznisë dhe Egnatias, teksa finalisti mes këtyre dy skuadrave do të vendoset në stadiumin ‘Egnatia Arena’.

Këto ishin ndeshjet e para të Kupës së Shqipërisë për sezonin 2022-2023, ndërsa ndeshjet e kthimit do të luhen më datën 11 maj, ku do të përcaktohen edhe dy skuadrat finaliste të këtij edicioni.

Kupës së Shqipërisë / Gjysmëfinalet

Ndeshjet e para/Sot

Vllaznia 1–1 Egnatia             ora 18:00

Stadiumi “Loro Boriçi”

Tirana 3-0 Teuta                    ora 18:00

Stadiumi “Elbasan Arena”

Ndeshjet e kthimit/ 11 maj 2023

Egnatia – Vllaznia

Teuta – Tirana

Finalja / 01.06.2023