Kupa e Shqipërisë 2022-2023 për vajza / Përcaktohen katër ekipet gjysmëfinaliste - FSHF

Kupa e Shqipërisë 2022-2023 për vajza / Përcaktohen katër ekipet gjysmëfinaliste

Partizani, Tirana, Vllaznia e Apolonia janë katër ekipet gjysmëfinaliste të këtij edicioni të 14-të të Kupës së Shqipërisë për vajza. Këtë fundjavë janë zhvilluar takimet e kthimit të fazës çerekfinale, tre prej të cilave ditën e shtunë dhe Apolonia – Laçi këtë të diel.

Në derbin e kryeqytetit, Partizani siguroi biletën për në gjysmëfinale pasi mposhti me penallti Kinostudion. Të kuqet realizuan dy gola të shpejtë në pjesën e parë, me Docin e Xhebrahimin, ndërsa Kadiolli ngushtoi rezultatin për Kinostudion, duke barazuar edhe rezultatin final, 5-5. Skuadrat iu drejtuan kohës shtesë, por asgjë nuk ndryshoi në rezultat, teksa nga pika e bardhë e penalltive, vajzat e Partizanit u treguan më të sakta, duke siguruar gjysmëfinalen.

Sakaq, një tjetër ekip kryeqytetas që kalon në fazën tjetër është edhe Tirana. Vajzat bardheblu triumfuan me rezultatin e thellë 16-0 ekipin e Teutës në kompleksin “Skënder Halili” në kryeqytet. Një takim që foli vetëm për vajzat bardheblu, të cilat realizuan 9 gola në pjesën e parë dhe 7 gola në fraksionin e dytë të ndeshjes.

Nga ana tjetër, Vllaznia triumfoi edhe në ‘betejën’ e dytë të kësaj faze, teksa mundi me shifrat 6-0 Kukësin, duke siguruar kështu gjysmëfinalen në këtë edicion të Kupës së Shqipërisë.

Asnjë surprizë në ndeshjen e zhvilluar ditën e sotme, mes Apolonisë dhe Laçit. Fieraket fituan me rezultatin 5-0, teksa dominuan 90 minutat e kësaj ndeshje të dytë, duke kaluar kështu në gjysmëfinale.

 

Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë për vajza

Partizani – Kinostudio (5-5) (4-1 me penallti)

Tirana – Teuta (25-2)

Vllaznia – Kukësi (13-0)

Apolonia – Laçi (11-0)