Kualifikimi i Kombëtares U-17 në Elite Round, Presidenti Duka takon kuqezinjtë në "Shtëpinë e Futbollit" - FSHF

Kualifikimi i Kombëtares U-17 në Elite Round, Presidenti Duka takon kuqezinjtë në “Shtëpinë e Futbollit”

Kombëtarja shqiptare U-17 ka arritur një sukses të madh duke u kualifikuar për në fazën e “Elite Round, praktikisht finalet e kampionatit Europian të kësaj grup-moshe, që do të luhen vitin e ardhshëm. Përfaqësuesja e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku ia doli të kalonte në fazën tjetër pasi bëri një paraqitje shumë të mirë në eliminatoret e Europianit, ku në grup kishte përballë Kroacinë, Suedinë dhe Uellsin, duke grumbulluar 4 pikë në tre ndeshje.

Pas kthimit të Kombëtares U-17 nga Kroacia, atje ku u zhvilluan ndeshjet e grupit, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka i priti në një takim në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, për t’i uruar për suksesin e arritur, por edhe për t’i njohur me ambientet e kompleksit modern të ndërtuar në Tiranë, që do t’i shërbejë shumë pikërisht ekipeve kombëtare të moshave.

Gjithashtu, Presidenti Duka u bëri apel të rinjve që të punojnë sa më shumë dhe të rriten si bashku si futbollistë që në të ardhmen të mund ta çojnë Shqipërinë edhe në finalet e një Botërori.

“Doja t’ju falënderoja për atë arritje të bukur në Europian, për t’ju inkurajuar që të vazhdoni kështu dhe e treta doja që ju të njiheshit me kompleksin e Shtëpisë së Futbollit, ku do të vazhdoni të stërviteni me synimin për ta çuar Shqipërinë në Botëror. Nuk është thjesht qëllimi për të kaluar në Elite Round, por duhet të rriteni në këtë kompleks, në fushat e tjera që po ndërtohen apo nëpërmjet të gjitha projekteve që ne po bëjmë, sepse ju jeni e ardhmja dhe ju duhet ta çoni Shqipërinë në Botëror. Është shumë e rëndësishme të luash futboll, e rëndësishme është të jesh skuadër, për të qenë të bashkuar si grup dhe për të krijuar një atmosferë pozitive. Si ua thashë para sfidës me Uellsin, ua them edhe tani, jam shumë i lumtur për këtë arritje, sepse nëpërmjet fitoreve dhe kualifikimeve ju rriteni si skuadër, por objektivi ynë kryesor është që ju të rriteni individualisht dhe si skuadër që t’i shërbeni ekipit kombëtar, të bëhen profesionistë të zotë, për veten, për familjet tuaja dhe për fanellën kuqezi që mbani veshur”, – tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Ndërsa, trajneri i Kombëtares U-17, Ervin Bulku, falënderoi Presidentin Duka për mbështetje dhe theksoi se ky sukses nuk është aspak rastësi, por është fryt i një pune të mirë që është bërë nga të gjitha stafet teknike.

“Falënderojmë presidentin Duka, sepse nga ana e tij kemi pasur një mbështetje të jashtëzakonshme dhe ky rezultat nuk është i rastësishëm, sepse ka vite që ne punojmë. Jo vetëm ne që jemi këtu, por edhe të gjithë stafet e tjera të ekipeve kombëtare të moshave. Mendoj që na  ka ndihmuar shumë edhe pjesëmarrja në turneun miqësor që organizuam para 1 viti në Kroaci sepse kishim kundërshtarë pak a shumë të njëjtë e që ne i njihnim. Jemi përballur me kundërshtarë shumë të fortë dhe kemi luajtur si të barabartë. Gjatë gjithë turneut djemtë janë ndjerë shumë mirë sepse kishin shumë besim te vetja dhe kishim gjithë vitin që nuk pësonim asnjë humbje. Siç kishim Suedinë, Kroacinë dhe Uellsin, të këtij niveli do të jenë edhe kundërshtarët që do të na vërë përballë shorti i Europianit. Për këtë arsye duhet të punojmë shumë të gjithë bashkë”, – tha Ervin Bulku gjatë takimit.

Më pas djemtë kuqezinj vizituan edhe ambientet e FSHF-së dhe dy mini-stadiumet që po ndërtohen në Shtëpinë e Futbollit e që po janë drejt përfundimit.