Konferencë për shtyp, flasin Veseli dhe Trashi - FSHF

Konferencë për shtyp, flasin Veseli dhe Trashi

Ekipi kombëtar vazhdon grumbullimin në prag të ndeshjeve kualifikuese kundër Turqisë në 11 Tetor dhe ndaj Moldavisë më 14 Tetor, të dyja përballje në transfertë. Për të folur për grumbullimin dhe dy sfidat kualifikuese, sot kanë dalë në konferencë për shtyp, Frederic Veseli dhe Lorenc Trashi.

Veseli në fjalën e tij përpara mediave u shpreh: “Besoj se kemi lojtarë që përshtaten me skemën me 3 por mund të kalojmë edhe me 4 pa problem. Është diçka që varet nga kundërshtari dhe nuk është fiks. Mund të kalojmë edhe me 4 apo 5 mbrojtës. Ka shumë rëndësi kjo ndeshje sepse e dimë që ka mundësi të bëjmë një hap shumë para nëse fitojmë. Synojmë fitoren dhe pse jo të vazhdojmë në këtë edicion dhe të bëjmë diçka pozitive. Besoj e shpresoj të mundim Turqinë si në miqësore në Antalia. Nuk duhet të kemi presion por të bëjmë lojën tonë pasi kemi mundësi të fitojmë. Sigurisht që do të na ndihmojnë pasi kanë ardhur lojtarë me shumë kualitet dhe i kemi parë në stërvitje dhe kur kanë luajtur. Janë një shenjë me perspektivë për të ardhmen dhe kur ka lojtarë të rinj shtohet konkurrenca dhe kjo është pozitive për skuadrën. Konkurrenca është pozitive për mua sidomos në Kombëtare ku duhet dhënë maksimumi. Mund të sigurojnë vendin e tyre në Kombëtare pasi jemi gati të japim maksimumin. Të gjithë kanë kualitet. Unë nuk kam menduar aktivizimin por vendos trajneri. Duhet një bazë dhe duhen lojtarë që japin më shumë por e vendos trajneri se kush luan. Ne jemi gati dhe të motivuar. Atmosfera është shumë e mirë në ekip dhe të gjithë flasim me njëri-tjetrin dhe jemi të bashkuar të rinjtë me më të vjetrit. Entuziazmi nuk është siç kanë qenë para europianit ose në Europian dhe normal që tashmë bie. Atmosfera është ndryshe nga entuziazmi dhe është shumë mirë. Kumbulla është shumë i mirë dhe shumë i ri. E ka treguar veten në Serinë A dhe si person është djalë i mirë e punëtor. Do të arrijë shumë lart nëse e mban këtë mentalitet. Është pozitive për Kombëtaren që një lojtar si ai, përparon aq shumë në një kampionat të atij niveli. Hysaj mungon shumë sidomos pas ndeshjes me Islandën ku edhe shënoi. Mundem të them se është lider i ekipit dhe e vuajmë mungesën e një lideri në ekip por kemi lojtarë për të mbuluar atë pozicion. Edhe unë mundem ta bëj atë pozicion por në fund vendos trajneri.”

Në fjalën e tij Lorenc Trashi theksoi: “Është e vërtetë, është grumbullimi im i tretë me Kombëtaren. Jam përshtatur dhe njohur mirë me epokën e trajnerit që ndodhem tani. Panuccin nuk e njoh shumë dhe s’mund të flas më shumë për të. Trajneri Reja nuk është nevoja të them unë kush është. Atmosfera është pozitive. Gjithçka shumë mirë dhe çunat janë optimistë. Nuk jam i mendimit që ka pasur shumë probleme krahu i majtë. Por, njëherë lojtari është në formën e duhur dhe njëherë jo. Unë jap maksimumin në ekipin tim, por i takon trajnerit të vendosë. E ndjej veten shumë mirë, ndaj trajneri më thirri. Shpresoj të kem minuta. Normalisht çdo lojtar në kampionatin shqiptar kërkon të ketë një eksperiencë në një kampionat më të lartë. Mendoj që Kombëtarja më shërben më mirë për këtë pjesë. Por, disa minuta në këmbë do të më bënin të provoja veten, pse jo të provoj edhe veten në një ekip më të lartë në Europë. Unë personalisht s’kam pasur asnjëherë probleme me trajnerin. Ai ka qenë i pari që më ka mbështetur dhe më ka përqafuar.”