Konferencë për shtyp e trajnerit Reja për ndeshjet ndaj Andorrës dhe Francës

Trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja ka dalë sot në orën 11:00 në një konferencë për shtyp ku ka foluar për futbollistët e grumbulluar dhe dy ndeshjet e rradhës, të vlefshme për kualifikueset e EURO 2020. Ndeshja e parë do të luhet në datën 14 nëntor ndaj Andorrës, në stadiumin “Elbasan Arena” dhe ndeshja e fundit për këto kualifikuese në stadiumin e ri kombëtar në datën 17 nëntor.

Në fjalën e e tij përpara mediave, trajneri Reja u shpreh: “Për Cikalleshin ne na vjen keq, por kemi një kontigjent të përshtatshëm dhe kemi zgjedhje alternative. Kemi pritshmëri të larta për ta vëzhguar nga afër Florian Kamberin. Gjithashtu është bërë një rritje me rëndësi sa i përket lojës. Dua që të luajmë gjithmonë në të njëjtën mënyrë, me maksimumin tonë. Ndeshja e radhës do të jetë me Andorrën dhe ka një nënvlerësim nga media. Pasi me Francën vëmendja është e madhe nisur kjo nga vetë kundërshtari, por edhe nga stadiumi i ri. Objektivi ynë i parë është që të arrijmë maksimumin në këto ndeshje.
Pak nga pak kemi nisur të fusim lojtarë të rinjë dhe na duhen gjithashtu edhe rezultatet, ky është procesi. Pra duhet të fusim pak lojtarë të rinjë dhe pse e kuptoi politikën e FSHF-së, kërkohet edhe siguri për marrjen e rezultateve nga ana tjetër.
Panucci dhe De Biasi duhet të jenë pak xhelozë për mua që do të jem për herë të parë në stadiumin e ri dhe ndihem i emocionuar, i privilegjuar. Do të jetë e madhe që lojtarët të luajnë aty. Është një stadium vërtetë i bukur në Europë. Kam ftuar edhe vajzën me gruan. Çështja e Kamberit është dokumentacioni për të qenë gati në këto ndeshje. Shpresojmë të marrim një përgjigje pozitive që të jetë gati për një prej këtyre takimeve. Kemi marrë Uzunin që nuk ishte në herën e fundit për shkak se i besova edhe lojtarëve të rinjë, apo Seferin që për arsye teknike nuk arriti të bëri debutimin. Gjithashtu ka vend edhe për rikthime të tjera si Taulant Xhaka që do t’i shohim me kujdes gjatë punës sonë. Së bashku me FSHF-në kemi të njëjtin projekt për të ardhmen. Me Turqinë ju e patë që ishim shumë pranë fitores dhe situata do të ishte e hapur. Na duhej atje një mrekulli dhe nuk ndodhi. Unë kam një apel për tifozët shqiptarë që të na mbështesin ndaj Andorrës. Kam dëgjuar që nuk ka shumë interes dhe pa tifozë nuk ka futboll. Mua nuk më pëlqen një skuadër eksperimentale dhe nuk dua që të bëj eksperimente me formacionin. Andorra luan me një modul 4-4-2 dhe e kemi parë kundër Moldavisë dhe Turqisë. Ata janë mbrojtur shumë mirë dhe do të presim momentin e duhur për ta goditur. Kështu kërkohet të ketë durim nga ana jonë dhe mos të rrezikojmë shumë me kundërsulmet.”

Lista e kombëtares: