Konferencë për shtyp e trajnerit Panucci

Trajneri i ekipit përfaqësues, Christian Panucci ka dalë sot në orën 12:30 në një konferencë për shtyp në ambjentet e FSHF. Në fjalën e tij tekniku i kuqezinjve u shpreh:-” Nuk e di sesa ka ndryshuar skuadra. Unë mundohem t’i jap cilësinë më të mirë të mundshme, sepse kemi shumë pak kohë për të punuar. Qaka është një lojtar me shumë talent dhe unë jam shumë i kënaqur që e gumbullova. Ajdarevici gjithashtu ka cilësi, por i duhet dhënë më shumë besim. Mendoj se në pjesën e parë ndaj Turqisë pamë punën që kemi bërë në Antalia. Luajtëm një futboll të shkëlqyer. U demonstrua ai karakter që unë dëshiroj, duke mos toleruar asgjë. Futbollistët kanë qenë të jashtëzakonshëm gjatë qëndrimit në Antalia, rezultati është produkt i këtij qëndrimi profesionist.
Do të kemi një grumbullim në mars, ku do të shohim 2-3 futbollistë. Duhet të kemi një bazë të rëndësishme, për të krijuar grupin që do të jetë në eliminatoret e Europianit. Janë 5-6 lojtarë të cilët i kam parë në video, por duhet t’i shoh edhe nga afër. Siç stërvitesh, ashtu do të luash. Mendoj se kemi cilësi për të arritur objektiva të rëndësishme. Është e rëndësishme që lojtarët e besojnë tek ato që unë them. Kam shumë besim te Aliji dhe Lenjani, te Memolla. Shpresoj shumë që Aliji të gjejë skuadër në janar. Më duket shumë e çuditshme që nuk ka skuadër. Ramadani është lojtar që do të bëjë pjesë në grupin tonë më pëlqen shumë, por janë edhe 4-5 lojtarë të tjerë për të cilët kam folur edhe me trajnerin e U-21 Alban Bushin.”