KOMBËTARJA U-21/ DOKA E SELMANI PËRPARA MEDIAVE: “VLERËSIM MAKSIMAL NDESHJEVE TË RADHËS” - FSHF

KOMBËTARJA U-21/ DOKA E SELMANI PËRPARA MEDIAVE: “VLERËSIM MAKSIMAL NDESHJEVE TË RADHËS”

Në vigjilje të ndeshjeve zyrtare eleminatore me Spanjën dhe me Estoninë, dy futbollistët e ekipit kombëtar U-21, Albi Doka e Gentian Selmani dolën sot përpara mediave, në një konferencë për shtyp. Të dy këta futbollistë vijnë nga kampionati shqiptar i futbollit, dhe menjëherë pas ndeshjeve të së djelës, sot nisin përgatitjet për takimet eleminatore. Fillimisht Albi Doka për mediat u shpreh: “Përballë në këto dy ndeshje të fundit kemi Spanjën dhe Estoninë. Nisim me një kundërshtar shumë të fortë, por futemi në fushë pa frikë. Tashmë potencialet e një skuadre si Spanja njihen, por ne do të bëjmë më të mirën tone, duke dhënë më shumë se maksimumin në fushë. Kërkojmë që të bëjmë një mbyllje sa më pozitive të kompeticionin në këto eleminatore. Mendoj se kemi bërë ndeshje të mira dhe mbase me pak kujdes mund të kishim më shumë pikë tani, por jemi ndëshkuar nga gabimet tona. Sidoqoftë kemi bërë lojën tonë dhe kemi pasur shanset tona. Edhe me Spanjën e Estoninë do të japim më të mirën tonë”,- theksoi Doka.

Nga ana tjetër, portieri i Laçit, Gentian Selmani, për këto dy sfida shprehet: “Edhe pse jemi jashtë objektivit për kualifikim tashmë, vlerësojmë maksimalisht këto dy ndeshje. Jemi një skuadër që gjatë ndeshjeve në grup kemi dhuruar emocione, por në momente të ndryshme na ka munguar edhe përqëndrimi deri në fund të ndeshjes për të arritur në rezultatin pozitiv. Spanja është shumë e fortë, por ne do të futemi në fushë pa këtë ndrojë, por duke dhënë 200 për qind të mundësive tona, pse jo për të arritur edhe një rezultat pozitiv”.

Skuadra përfaqësuese U-21 nis sot edhe seancat stërvitore, në një kohë që deri në mesditë, pritet që në dispozicion të trajnerit Alban Bushi të jetë grupi i plotë në dispozicion. Seanca stërvitore e ditës së sotme për përfaqësuesen e U-21 do të zhvillohet në Kamzë në orën 19.30. Dy takimet e fundit zyrtare për grupin 2, kombëtarja U-21 do ti zhvillojë të enjten në datë 11 tetor me Spanjën në “Selman Stërmasi”, dhe më pas në Parnu të Estonisë me përfaqësuesen vendase.  Pas tetë ndeshjes në grup Shqipëria U-21 pozicionet në vendin e 5-të në grup me 6 pikë, me një fitore, tre barazime dhe katër humbje.

Tjetër dëmtim, Bushi zëvendëson Hakajn

Trajneri i ekipit kombëtar U-21, Alban Bushi ka thërritur së fundmi në grumbullimim të ekipit për këto dy sfida eleminatore zyrtare, lojtarin Ardit Toli që aktivizohet në radhët e skuadrës Kissamikos në Greqi. Kjo thërritje vjen pas një tjetër dëmtimi, atij të futbollistit të Teutës, Esin Hakaj, i cili ka probleme fizike dhe nuk mund të jetë në dispozicion të skuadrës dhe trajnerit për këto dy ndeshje.