KOMBËTARJA/ PRAG-IZRAELI, FUTBOLLISTËT ELSEID HYSAJ E MIGJEN BASHA PËRPARA MEDIAVE - FSHF

KOMBËTARJA/ PRAG-IZRAELI, FUTBOLLISTËT ELSEID HYSAJ E MIGJEN BASHA PËRPARA MEDIAVE

Skuadra përfaqësuese e futbollit tashmë ka nisur përgatitjet e saj për ndeshjen shumë të rëndësishme ndaj Izraelit. Përballja zyrtare eleminatore e së djelës, e cila do të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme për vetë pozitat në grup. Nga ana tjetër, një fitore është shumë e rëndëishme dhe e domosdoshme në këtë moment për ekipin. Përpara mediave sot dolën futbollistët Elseid Hysaj dhe Migjen Basha. Të dy ishin pushim në takimin me Jordaninë, dhe tashmë janë një forcë më shumë për trajnerin, për sfidën e së djelës. Mbrojtësi Hysaj për mediat theksoi: “Të dielën, të gjithë duhet dhe do të japim maksimumin tonë, të luajmë mirë dhe të gjejmë rrugën e fitores për të vijuar më tej. Besoj shumë se ndaj Izraelit mund t’ia dalim. Dje ishte e vështirë, Jordania u mbyll, por ne treguam karakter. Çështja e golit ishte thjesht dhe vetëm punë centimetrash.

Të njëjtët lojtarë jemi nga skuadra që fitoi në Izrael dhe ndryshime nuk ka shumë, dhe besoj se jemi gati për të luajtur ndeshjen. Në lidhje me skemat mund të them që të gjithë luajmë në kampionate të forta në Europë. Thjesht, na duhen 2-3 ditë që të kuptojmë si të japim më të mirën tonë në fushë. Po mendojmë maksimalisht sfidën e së dielës dhe bashkarisht kemi të gjitha mundësitë t’ia dalim”,- citoi Hysaj.

Nga ana tjetër, mesfushori Basha nuk ka asnjë dyshim që kjo skuadër mund të japë sërish emocione të forta: “Sigurisht që ky grup që jemi mund të vijojë me sukseset e tij. Tashmë ajo që na intereson është përballja e së dielës. Ndaj Izraelit duhet të japim maksimumin tonë.  Ne lojtarët, jemi ata që duhet të ngremë moralin. Duhet entuziazëm, dhe të luajmë si një finale, pasi kjo ndeshje do vendosë fatet tona në grup. Nëse bëjmë një rezultat të mirë atje, kemi shumë shanse për më  tej. Kemi besim dhe të gjithë bashkë do t’ia dalim”,- theksoi Basha, që së bashku me Elseid Hysajn, janë përzgjedhur nga skuadra si dy zv.kapitenët e ekipit.