Kombëtarja e femrave/ Geldona Morina dhe Esi Lufo në konferencë për shtyp - FSHF

Kombëtarja e femrave/ Geldona Morina dhe Esi Lufo në konferencë për shtyp

Ditën e sotme në stadiumin “Elbasan Arena”, kanë dalë në konferencë për shtyp dy futbollistet e kombëtares së femrave, Geldona Morina dhe Esi Lufo. Të cilat folën përpara mediave rreth atmosferës së përfaqësueses kuqezi, pritshmëritë për ndeshjen ndaj Skocisë në datën 8 nëntor dhe rikthimin në detyrë të trajnerit, Armir Grima.

Mesfushorja e Shqipërisë së femrave, Geldona Morina u shpreh:” Ka për të qenë një sfidë e vështirë ajo ndaj Skocisë, ne do të luftojmë për të bërë më të mirën. Për ne fitorja ndaj një kundërshtari të fortë si Skocia, matet edhe nga mënyra sesi luajmë apo prezantohemi në fushën e blertë. Ndeshjen e fundit që kemi luajtur ndaj të njëjtit kundërshtar kemi humbur me rezultatin e ngushtë 2-1, ndonëse kemi humbur ne kemi bërë një paraqitje shumë të mirë atë sfidë. Unë dje jam bashkuar me skuadrën dhe atmosfera në ekip më duket e mirë, kështu ka qenë gjithmonë, ne kemi harmoni. Me ardhjen e profesor Mirit ne jemi ndjerë shumë mirë, gjatë kësaj kohe që ai nuk ka qenë me ne, ne kemi luajtur edhe për të. Shpresojmë të marrim një rezultat të kënaqshëm në ndeshjen e radhës.”

Esi Lufo në fjalën e saj u shpreh: “Ne si skuadër jemi të motivuara, dhe e vlerësojmë kundërshtarin, do të bëjmë maksimumin, që në këtë ndeshje të marrim një rezultat pozitiv. Sa i përket rezultatit, dëshiroj që më shumë tia lëmë fushës, por edhe një lojë e mirë do të ishte e kënaqshme për ne. Për mua është hera e parë që grumbullohem me profesor Grimën, por kam dëgjuar nga vajzat fjalët më të mira, dhe atmosfera këtu është për tu admiruar. Tifozat duhet ta ndjejnë si detyrim që të na mbështesin, si vajza që jemi, përkrahja e tyre në shkallët e stadiumit është shumë motivuese, ndaj gjej rastin ti ftoj”.

Video

Posteri i ndeshjes: