KOMBËTARJA/ BINAKU E VRIONI PËRPARA MEDIAVE PËR DY SFIDAT, MIQËSORE DHE ZYRTARE TË PËRFAQËSUESES

Egzon Binaku dhe Giacomo Vrioni ishin dy futbollistët të cilët sot dolën përpara mediave në prag të ndeshjeve që skuadra kuqezi do të luajë gjatë kësaj jave, respektivisht të mërkurën me Jordaninë dhe të djelën në transfertën zyrtare në Izrael. Mbrojtësi që luan me Malmon në Suedi  theksoi që klima në skuadër është e mirë dhe në Izrael ekipi shkon për fitore: “Klima në skuadër është shumë e mirë. Ndaj Izraelit do të hyjmë në fushë vetëm për të fituar dhe për këtë do të punojmë shumë gjatë këtyre ditëve. Nuk kemi bërë një prezantim të mirë me Skocinë, por tashmë e dijmë se çfarë duhet të korrigjojmë për të shkuar sërish drejt fitores. Sigurisht kemi dëshirë të kualifikohemi në grup, në Ligën e Kombeve. Jam shumë i kënaqur që më kanë ftuar në kombëtare, që trajneri ka sërish besim tek unë. Ana psikologjike e skuadrës është një faktor shumë I rëndësishëm në mbarëvajtjen e ndeshjeve”, – theksoi Binaku.

Nga ana e tij, sulmuesi Vrioni deklaroi: “Ftesa më erdhi në rrugë zyrtare, kur më telefonuan për të më thënë që jam i grumbulluar me ekipin kombëtar A. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe do të bëj më të mirën time. A do të luaj? Zgjedhjet i takojnë trajnerit, ndërsa unë do të mundohem të jap më të mirën në fushë, nëse më jepet mundësia. Por, objektivi I përbashkët për të cilën e gjithë skuadra do angazhohet është kualifikimi për në në kampionatin Europian”,- theksoi Vrioni.

Skuadra kombëtare do të nisë sot seancat stërvitore në orën 16.30 në rezort “Tropikal”, ndërkohë që nesër në mëngjes do të realizojë edhe një tjetër stërvitje. Pasditen e nesërme në orën 18.45, trajneri dhe kapiteni i ekipit kombëtar do të dalin në një konferencë për shtyp.