Kategoria e Dytë / Vora e mbyll në krye dhe shpallet zyrtarisht ekipi fitues i grupit A! - FSHF

Kategoria e Dytë / Vora e mbyll në krye dhe shpallet zyrtarisht ekipi fitues i grupit A!

Vora është kurorëzuar zyrtarisht si ekipi fitues i grupit A në kampionatin e Kategorisë së Dytë për sezonin futbollistik 2022-2023.

Triumfi si kampionë në grupin A i jep mundësinë Vorës të ngjitet direkt në Kategorinë e Parë për edicionin e ardhshëm futbollistik, 2023-2024.

Skuadra e Vorës e kishte siguruar javë më parë ngjitjen në këtë Kategori, pas edicionit mjaft të mirë futbollistik të zhvilluar, teksa këtë të mërkurë i është dorëzuar edhe trofeu i fituesit të grupit A.

Në ceremoninë e zhvilluar në stadiumin e Vorës ishte i pranishëm edhe legjenda e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari, i cili i dorëzoi trofeun skuadrës së Vorës.

Vora ka bërë një paraqitje shumë të mirë në grupin A, ku në 20 ndeshje të zhvilluara ka marrë plot 16 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje. Vora e mbylli me fitore kampionatin, teksa ditën e sotme mposhti ekipin e Murlanit me rezultatin 2-0 me gola të shënuar nga Prengaj dhe Jata.

Më 11 maj, skuadra e Vorës do të përballet me Elbasanin, që është shpallur ekipi fitues i grupit B në Kategorinë e Dytë. Nga ky takim do të përcaktohet edhe ekipi kampion i Kategorisë së Dytë për edicionin 2022-2023.