Kapiteni Memushaj dhe trajneri Reja në konferencën zyrtare, në prag të ndeshjes me Turqinë - FSHF

Kapiteni Memushaj dhe trajneri Reja në konferencën zyrtare, në prag të ndeshjes me Turqinë

Kapiteni i kombëtares për ndeshjen Turqi-Shqipëri, Ledian Memushaj dhe trajneri Edoardo Reja, kanë dalë në konferencën zyrtare, 1 ditë përpara ndeshjes me turqit. Fillimisht interesimit të medias iu përgjigj Memushaj dhe më pas trajneri ku bëri një analizë më të plotë për gjendjen e skuadrës dhe përballjen me kundërshtarin. Në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e EURO 2020.

Ledian Memushaj në fjalën e tij u shpreh: “Jam shumë i kënaqur që mbaj shiritin, por do të isha edhe më i lumtur nëse këtu do të ishte Elseidi ose mërgimi, pasi do të mund të kishim edhe ata në grup. E dimë vështirësinë e takimit dhe e kemi përgatitur mjaft mirë, ndaj shpresoj të na shkojnë gjërat sipas planit. Kemi shumë shanse, pasi trajneri e ka përgatitur shumë mirë ndeshjen dhe ne kemi punuar mirë gjatë javës. Na pret një ndeshje shumë e vështirë nesër, por po kaq e vështirë do të jetë edhe për Turqinë. Para dy viteve kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, përveç meje që dola me karton të kuq. Megjithatë do të isha i lumtur të merrja sërish karton të kuq, nëse do fitonim. Krahasuar me ndeshjen në Shkodër, kemi goxha ndryshim, pasi drejtohemi nga një trajner tjetër, që ka të tjera ide për lojën. Kemi nevojë edhe për pak kohë, pasi gjerat bëhen avash-avash. Tani është koha të harrojmë ndeshjen me Islandën dhe të mendojmë për takimin e nesërm.”

Trajneri Reja përpara medias theksoi: “Grupi i Shqipërisë funksionon dhe është në përmirësim të vazhdueshëm. Ne kemi në konsideratë lojtarë të mëdhenj të kombëtares turke si Calhanoglu, Burak Yilmaz apo Cenk Tosun, që unë i ndjek dhe i njoh mirë. Duhet të bëjmë një garë të mirë dhe të japim 100%, për të shpresuar që të dalim me një rezultat pozitiv. Duhet të jemi të përqendruar maksimalisht, pasi vetëm kështu mund t’ia dalim të marrim një rezultat të mirë. E dimë të gjithë rëndësinë e Hysajt, por kushdo që të luajë, do të bëjë mirë dhe jam i sigurt. Duhet të bëjmë disa vlerësime para ndeshjes, pasi presim disa përgjigje nga kjo ndeshje dhe shpresoj që të jenë të gjitha pozitive. Dua të shoh që vazhdon rritja dhe që lojtarët e rinj mund të përfshihen lehtësisht në formacion. Nuk kam parë vetëm këtë ndeshje, por kam parë Turqinë në të gjithë ndeshjet që ka luajtur në shtëpi, veçanërisht atë ndeshje ndaj Francës, ku fitoi pastër. Duhet të jemi shumë të zotë në këndvështrimin taktik dhe të mos lejojmë hapësira, pasi kështu mund të ndëshkohemi nga lojtarët vendas, që disponojnë bagazh të lartë teknik. Pres një ndeshje intensive gjatë gjithë 90 minutave, sepse mjafton një shpërqendrim i vogël, për t’u ndëshkuar nga ndeshje të tilla. Debutues nuk do të ketë, por në pankinë do të jenë dy futbollistë, që mund të luajnë në lojë e sipër, por jo nga fillimi. Kjo është një ndeshje që na lë jashtë, ose na jep mundësi të vazhdojmë të ëndërrojmë për një vend në Europian, ndaj për këtë është shumë e rëndësishme që të bëjmë më të mirën dhe të dalim me një rezultat pozitiv. Ne di dimë vlerat e kundërshtarit, por na duhet vetëm fitorja dhe për t’ia dalë, duhet të evitojmë gabimet. Ajo ishte një ndeshje e luajtur pa intensitetin e duhur, por tani kam besim te puna që kemi bërë dhe te loja që shfaqim. Duhet të shmangim mungesën e përqendrimit, pasi në nivele të tilla, çdo gabim kushton shumë.”