Kampionati Kombëtar i Futsallit 2022-23 mbërrin në prolog, të dielën luhet ndeshja e parë e finaleve - FSHF

Kampionati Kombëtar i Futsallit 2022-23 mbërrin në prolog, të dielën luhet ndeshja e parë e finaleve

Kampionati Kombëtar i Futsallit 2022-23 ka mbërritur në stacionin e fundit pasi janë përcaktuar edhe dy ekipet finaliste. Flamurtari Futsal dhe Tirana Futsal do të përballen në duelin e fundit për të shpallur edhe ekipin kampion të këtij sezoni, që duhet thënë se ka qenë një sukses i vërtetë në çdo drejtim, si në rritjen e skuadrave dhe futbollistëve pjesëmarrës, ashtu edhe në aspektin sportiv, duke ngjallur interes dhe emocione në pallatet e sporteve.

Dy finalistet u përcaktuan pas ndeshjeve të turit gjysmëfinal të kampionatit, ku u sfiduan katër skuadrat e renditura në katër vendet e para të klasifikimit. Flamurtari u ndesh me Diamantin, duke mbyllur llogaritë që në dy ndeshjet e para pasi fitoi respektivisht me rezultatet 4-1 dhe 13-3.

E njëjta situatë edhe në çiftin Tirana-Vllaznia, që nuk pati nevojë për ndeshjen e tretë, pasi skuadra kryeqytetase arriti të triumfojë me rezultatin 7-1 në sfidën e parë, ndërsa në duelin e kthimit u deshën penalltitë, me bardheblutë që ishin më të saktë nga pika e bardhë, pasi koha e rregullt u mbyll në barazim 5-5.

Sakaq, edhe finalja Flamurtari-Tirana do të luhet tre ndeshje, teksa e para do të zhvillohet të dielën (23 prill 2023) në Pallatin e Sportit të Vlorës, duke nisur nga ora 19:00. Flamurtari e luan ndeshjen e parë në shtëpi si skuadra që e mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë të klasifikimit. Ndeshja e dytë do të luhet në Tiranë me datën 27 prill dhe nëse pas këtyre dy ndeshjeve do të jetë gjithçka në barazim atëherë do të luhet edhe ndeshja e tretë më datë 30 prill në Vlorë.

Ekipet pjesëmarrëse në këtë edicion ishin Eagles Land, Tirana Futsal, Forcat e Armatosura, Vllaznia, Diamant, Olimpik 1 Maji dhe Flamurtari, ndërsa gara u zhvillua me dy faza, me ndeshjet që u luajtën me sistem vajtje-ardhje. Më pas u vijua me fazën e play-off-it për të kulmuar me finalet nga ku do të përcaktohet edhe fituesi i këtij kampionati që do të përfaqësojë Shqipërinë në UEFA Champions League Futsal.

Më poshtë edhe rezultatet e turit gjysëmfinal dhe kalendari i finaleve të kampionatit:

 

Kampionati Kombëtar i Futsallit

Turi gjysmëfinal

09.04.2023

Flamurtari FC – Diamant MFC       4-1

09.04.2023

Tirana-Vllaznia                                   7-1

13.04.2023

Diamant – Flamurtari                       3-13

13.04.2023

Vllaznia – Tirana             5-5 (0-2 me penallti)

 

FINALET

 

23.04.2023, ora 19:00 në Vlorë

Flamurtari-Tirana

27.04.2023, ora 21:00 në Tiranë

Tirana-Flamurtari

30.04.2023 Vlorë (Ndeshja e tretë nëse do jetë e nevojshme)

Flamurtari -Tirana