Kampionati i vajzave/ Tirana mund Apoloninë në shtëpi, Vllaznia e Partizani fitojnë me goleada - FSHF

Kampionati i vajzave/ Tirana mund Apoloninë në shtëpi, Vllaznia e Partizani fitojnë me goleada

Kanë përfunduar këtë të diel sfidat e javës së tretë në kampionatin e futbollit të vajzave.

Kjo javë solli ndeshje mjaft interesante, ndërsa spikati përballja mes Apolonisë dhe Tiranës, që përfundoi me fitoren minimale të vajzave bardheblu.

Kryeqytetaset triumfuan në Fier me shifrat 1-0, teksa vendosi goli i realizuar nga Vishkulli në minutën e 38-të. Një fitore mjaft e rëndësishme për Tiranën, e para përballë fierakeve që nga krijimi i tyre si ekip.

Sakaq, në sfidën tjetër të javës së tretë, Partizani mundi Skënderbeun në shtëpi me rezultatin e thellë 5-0. Një lojë e dominuar totalisht nga të kuqet, të cilat shënuan tre gola që në fraksionin e parë të lojës me Lebën, Locin e Beqiragën, ndërsa në fraksionin e dytë, Riselda Leba gjeti sërish rrjetën edhe dy herë të tjera, duke vulosur kështu edhe një tripletë personale. Tre pikë shumë të rëndësishme për Partizanin, që në tre javë ka arritur dy fitore dhe një humbje.

Fitore bindëse mori këtë javë edhe Vllaznia, që triumfoi me shifrat 5-0 në shtëpi ndaj Lushnjes. Një ndeshje e lehtë për shkodranet, që tashmë janë në kuotën e 9 pikëve, në krye të klasifikimit.

Ndërkaq, për shkak të angazhimit me Kombëtaren U-17, në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Europian U-17 për këtë grupmoshë, dy nga përballjet e kësaj jave nuk u luajtën këtë fundjavë. Kukësi – Teuta dhe Kinostudio – Laçi ishin dy ndeshjet e javës së tretë që për arsyen e sipërpërmendur do të zhvillohen në një moment të dytë që do të përcaktohet nga Departamenti  i Garave në FSHF e që do të bëhet me dije në ditët në vijim.

Ndeshjet e javës së tretë në kampionatin e vajzave:

Apolonia 0–1 Tirana

Skënderbeu 0–5 Partizani

Vllaznia 5–0 Lushnja

 

Renditja pas javës së tretë:

Vllaznia 9 pikë

Tirana 6 pikë

Apolonia 6 pikë

Partizani 6 pikë

KF Teuta 3 pikë

Skënderbeu 3 pikë

Kukësi 0 pikë

Lushnja 0 pikë

Kinostudio 0 pikë

KF Laçi 0 pik