Kampionati i vajzave/ Një javë para fundit, Apolonia pret Vllazninë në shtëpi. Njihuni me sfidat interesante - FSHF

Kampionati i vajzave/ Një javë para fundit, Apolonia pret Vllazninë në shtëpi. Njihuni me sfidat interesante

Vetëm dy javë kanë mbetur nga përfundimi i këtij edicioni të 14-të të kampionatit të futbollit të vajzave, teksa këtë të shtunë do të luhen të gjitha ndeshjet e javës së 17-të. Pa dyshim që sfida më emocionuese e javës do të jetë ajo mes Vllaznisë dhe Apolonisë, ndeshje që premton pa dyshim spektakël në fushë.

Shkodranet janë në kërkim të fitores së 15-të radhazi në kampionat dhe titullit të dhjetë kampion. Ndaj Apolonisë së vendit të tretë nuk do të jetë e lehtë, teksa fieraket e renditura në vendin e tretë në kampionat kërkojnë tre pikët ndaj rivales kryesore në futbollin e vajzave. Takimi është planifikuar të luhet në stadiumin ‘Loni Papuçiu’ në Fier në ora 16:00.

Tirana e vendit të dytë ka një ndeshje të lehtë në letër. Vajzat bardheblu do të presin në kompleksin ‘Skënder Halili’ ekipin e Skënderbeut, që nuk ka bërë shumë mirë gjatë këtij edicioni. Fitorja është obligim për vajzat bardheblu, të cilat kanë tre pikë më pak se Vllaznia e vendit të parë, me të cilën do të përballen në javën e fundit. Sakaq, sfida ndaj Skënderbeut është programuar të nisë në ora 11:30.

Partizani do të udhëtojë drejt Durrësit të shtunën, ku do të jenë mysafiret e Teutës në këtë takim të javës së 17-të. Të kuqet e drejtuara nga trajneri Ylli Shehu kanë gjetur qetësinë me dy fitoret radhazi dhe do të kërkojnë tre pikët e radhës edhe në ndeshjen ndaj Teutës, që do të luhet në aneksin e stadiumit ‘Niko Dovana’ në ora 14:00.

Sakaq, ekipi tjetër kryeqytetas, Kinostudio, do të presë në shtëpi Kukësin. Pritet një ndeshje e luftuar nga të dyja ekipet. Pas disfatës në Shkodër javën e kaluar, për Kinostudion vlen vetëm fitorja dhe tre pikët. Ndeshja do të luhet në Kamëz në ora 15:30.

Laçi – Lushnja është takimi tjetër i javës së parafundit. Laçjanet shihen pa dyshim favorite në këtë ndeshje, ndërsa për Lushnjen ky nuk ka qenë një sezon i mirë, ku në 17 javë  ka marrë vetëm një fitore. Takimi është planifikuar të luhet në kompleksin ‘Zmijani’ në ora 14:30.

 

Ndeshjet e javës së 17-të:

Tirana – Skënderbeu, e shtunë, ora 11:30

Teuta – Partizani, e shtunë, ora 14:00

Laçi – Lushnja, e shtunë, ora 14:30

Kinostudio – Kukësi, e shtunë, ora 15:30

Apolonia – Vllaznia, e shtunë, ora 16:00

 

Renditja aktuale

Vllaznia 48 pikë

Tirana 45 pikë

Apolonia 36 pikë

Partizani 28 pikë

Kinostudio 24 pikë

KF Laçi 19 pikë

KF Teuta 15 pikë

Skënderbeu 3 pikë

Kukësi 0 pikë

Lushnja 0 pikë