Fundjava që sapo lamë pas mirëpriti ndeshjet e javës së gjashtë të kampionatit kombëtar të femrave, ku veç emocioneve të shumta, u realizuan edhe shumë gola e fitore me goleada.
Të shtunën u zhvilluan tre prej takimeve të planifikuara, me Vllazninë që ngriti siparin e kësaj jave të gjashtë. Kampionet në fuqi të vendit mundën Kukësin. Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ‘Reshit Rusi’, vajzat kuqeblu ia dolën të fitonin me rezultatin 8-0, duke mposhtur kështu kuksianet në shtëpi dhe duke mos njohur asnjë humbje e duke mos pësuar asnjë gol në gjashtë javë kampionat.
Në dy sfidat e tjera të së shtunës, Partizani u ndal në shtëpi nga Laçi, duke barazuar me rezultatin 2-2. Duhet theksuar se kjo është pika e parë e Laçit në kampionat, ndërsa kryeqytetaset renditen në vendin e pestë aktualisht në kuotën e 7 pikëve.
Sakaq, Tirana triumfoi me shifrat 7-0 në transfertën e Teutës. Vajzat bardheblu e zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë, duke realizuar dy gola me Vishkullin e Totën, ndërsa në pjesën e dytë shënuan edhe Coka (2), Kodra e Vishkulli sërish (2). Me këtë fitore, Tirana renditet në kuotën e 18 pikëve, po aq sa Vllaznia.
Ndërkaq, të dielën u luajtën edhe dy sfidat e tjera të javës. Apolonia mundi me rezultatin e thellë 14-0 Lushnjen në transfertë. Një fitore e rëndësishme kjo për fieraket, të cilat në gjashtë javë kampionat kanë siguruar 5 fitore dhe vetëm 1 humbje. Skënderbeu u mund në shtëpi nga Kinostudio. kryeqytetaset vijojnë kështu me rezultatet pozitive, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi në kampionat e duke u renditur në kuotën e 12 pikëve në total pas gjashtë javëve.
Ndeshjet e javës së gjashtë në kampionatin e vajzave:
Vllaznia 8-0 Kukësi
Partizani 2-2 Laçi
KF Teuta 0-7 Tirana
Skënderbeu 1-6 Kinostudio
Lushnja 0-14 Apolonia
Renditja pas javës së gjashtë:
Vllaznia 18 pikë
Tirana 18 pikë
Apolonia 15 pikë
Kinostudio 12 pikë
Partizani 7 pikë
Kukësi 7 pikë
Teuta 3 pikë
Skënderbeu 3 pikë
KF Laçi 1 pikë
Lushnja 0 pikë