Kampionati 5x5/ Spektakël dhe gola, futbolli amator ngre siparin edhe në zonën e Korçës - FSHF

Kampionati 5×5/ Spektakël dhe gola, futbolli amator ngre siparin edhe në zonën e Korçës

Kampionati i futbollit amator 5×5 ka mbyllur një tjetër javë në pesë qytetet ku luhet futboll, Tiranë, Durrës, Elbasan, Cërrik e Korçë.

Në kryeqytet, futbolli luhet në shtatë zona, ku në grupin A, ekipi i BmbSHPFA ruan kryesimin pasi arriti suksesin e radhës, duke fituar me rezultatin 6-2 kundër ekipit të Forcave Tokësore. Ndërkaq, në grupin B spikati takimi Elite FC – United Boys, me fitoren e thellë të këtyre të fundit, që triumfuan me shifrat 13-4. Sakaq, Ritello renditet në vendin e parë në këtë grup, pas fitores së ngushtë 4-3 kundër Alliasit të vendit të dytë, duke krijuar kështu shkëputjen me tre pikë tashmë.

Në grupin C, Vila L nuk njeh rivalë, teksa në 12 javë ka marrë 12 fitore radhazi. Në këtë javë të 11-të, Vila L triumfoi me shifrat 7-2 kundër FC Tigres. Sakaq, Jata Market e Futshow renditen në të njëjtën kuotë pikësh, 30, teksa edhe këtë javë korrën 3 pikët e radhës  në ndeshjet respektive.  Ndërkaq, në pesë takimet e luajtura në grupin D, bie në sy që katër prej tyre kanë përfunduar me rezultatin e njëjtë, 3-0. Joka Dent dhe skuadra e Shqiponjave vijojnë të renditen në vendin e parë dhe të dytë në kuotë të njëjtë pikësh, me nga 30 secila prej tyre.

ATS ruan bindshëm vendin e parë në grupin E, teksa siguroi një tjetër fitore ndaj Dok Team në këtë javë të 11-të me rezultatin 8-6. Ndërsa në grupin F, KF Erniku GS mori një tjetër tre pikësh këtë javë, teksa mposhti Luemin e vendit të fundit me shifrat 3-0. Një fitore të rëndësishme në këtë grup mori edhe ekipi i Çamërisë, pasi mundi me rezultatin e thellë 10-6 ekipin e TV Klan.

Sakaq, në grupin G, Beautiful Albania siguroi një fitore të rëndësishme kundër Kastriotëve, me rezultatin 3-0, teksa tashmë renditet në vendin e parë me 27 pikë pas 10 javësh, me një ndeshje më pak se ekipet e tjera në këtë grup. Me të njëjtën kuotë pikësh renditet edhe ekipi i Julton, që mundi këtë javë Legjendat me rezultatin 5-0.

Gara sa vjen e bëhet edhe më interesante edhe në zonën e Elbasanit dhe Cërrikut. Pas 7 javësh, Sh.s. Kuqani dhe AMG Plan Studio renditen në vendin e parë dhe të dytë, me nga 21 pikë secila, duke mos pësuar kështu asnjë humbje.

Ndërkaq, në Durrës, Kismeti mori një tre pikësh të vështirë ndaj Phoenix, ndërsa fitoi me rezultatin 6-4 dhe renditet tashmë i vetëm në krye të klasifikimit në grupin A me 26 pikë. Sakaq, më interesante është situata në grupin B, teksa Art-Inox ruan vendin e parë me 27 pikë, dy më shumë sesa Santal MFC i vendit të dytë.

Kampionati këtë javë ka nisur edhe në zonën e Korçës, ku spektakli dhe golat nuk munguan. Ndeshja më interesante ishte ajo mes Red Bull dhe KF Pirgut, që përfundoi me rezultatin 5-5. Ndërkaq, Iron Sharp dhe KF Kalaja siguruan fitoret e para në takimet respektive.