Kampionati 5x5/ Garë e fortë në të gjitha zonat ku luhet futboll, nuk mungojnë golat - FSHF

Kampionati 5×5/ Garë e fortë në të gjitha zonat ku luhet futboll, nuk mungojnë golat

Një tjetër javë e futbollit amator 5×5, e organizuar nga FSHF, ka ulur siparin dhe ka zhvilluar ndeshjet e saj në pesë zona të Shqipërisë, Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan e Cërrik.

Në zonën e Tiranës, gara është e fortë dhe emocionuese në thuajse të gjitha grupet. Vila L ruan pozitat e pretendentes për të fituar grupin C, teksa në 13 javë ka marrë po kaq fitore dhe renditet në vendin e parë me 39 pikë, e ndjekur nga Jata Market me 9 pikë më pak. Në grupin E, ATS duket se nuk ka rivalë këtë sezon, teksa në 12 javë garë ka marrë 11 fitore dhe vetëm një barazim. Rivaliteti për të fituar grupin D është mjaft i fortë, teksa Joka Dent dhe Shqiponja renditen në kuotë të njëjtë pikësh, me nga 33 secila pas 12 javësh kampionat. KF Erniku Gs bëri një hap fals këtë javë, duke u mposhtur nga Prestige MFC, një tjetër skuadër pretendente për t’u shpallur fituese në grupin F. Prestige MFC triumfoi me shifrat 4-3, duke u renditur tashmë dy pikë më pak se KF Erniku GS, ndërsa ka edhe dy ndeshje më pak në këtë grup.

Gara është shumë e fortë edhe në zonën e Elbasanit. Pas 8 javësh kampionat, ekipet e SHS Kuqani dhe AMG Plan Studio janë në kuotë të njëjtë pikësh, me nga 24 pikë secila, teksa në këtë javë të 9-të pritet ndeshja e fortë mes dy skuadrave. Si SHS Kuqani, ashtu edhe AMG Plan Studio do të luftojnë vetëm për fitore për të siguruar vendin e parë provizorisht.

Edhe në zonën e Durrësit kampionati vijon të dhurojë emocione javë pas jave. Takimi më interesant i kësaj jave ishte mes Phoenix – Kismeti, që përfundoi me fitoren 6-4 të pretendentëve për t’u shpallur fitues të grupit A. Kismeti renditet në vendin e parë pas 11 javësh, me 9 ndeshje të fituara dhe vetëm dy barazime. Sakaq, në grupin B, gara është më interesante. Art-Inox mori fitoren e pestë radhazi, pasi mposhti me rezultatin e ngushtë 6-5 Veneta MFC, teksa renditet në krye të grupit B me 30 pikë, 2 më shumë se Santal MFC i vendit të dytë.

Kampionati ka rifilluar edhe në zonën e Korçës, teksa është mbyllur edhe java e dytë e garës. KF Kalaja siguroi fitoren e dytë radhazi, teksa këtë javë mposhti Sovjanin. Ndërkaq, Iron Sharp u ndal nga ekipi i Red Bull-it, që triumfuan me rezultatin 7-3.