‘Jo Doping, Sport i Pastër’, FSHF, seminar me Partizanin & Kastriotin/ Begolli: Rrisim nivelin e futbollit në Shqipëri - FSHF

‘Jo Doping, Sport i Pastër’, FSHF, seminar me Partizanin & Kastriotin/ Begolli: Rrisim nivelin e futbollit në Shqipëri

Pas seminarit ‘Jo Doping, Sport i Pastër’, me klubet e Tiranës dhe Kukësit, ishte radha e ekipeve të Partizanit dhe Kastriotit që të bëheshin bashkë në një seminar të ngjashëm, të organizuar nga Departamenti i Mjekësisë në FSHF në bashkëpunim me Organizatën Kombëtare AntiDoping. Në këtë seminar të ditës së sotme, që u zhvillua në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, futbollistët dhe drejtuesit e ekipeve të Partizanit dhe Kastriotit morën informacion mbi substancat e palejuara në sport që dëmtojnë shëndetin e sportistëve, por nga ana tjetër edhe vlerat e sportit.

Së bashku me Violeta Shqevi, e cila mban pozicionin e drejtueses së OKAD (Organizata Kombëtare Antidoping ALBANIA), referoi ditën e sotme edhe doktor Ilvi Begolli. Në një prononcim për fshf.org, Dr.Begolli shpjegoi qëllimin e këtij seminari të zhvilluar me klubet e Partizanit dhe Kastriotit.

“Ashtu sikurse dje me Tiranën dhe Kukësin, edhe sot u zhvillua seminari i AntiDopingut me ekipet e Partizanit dhe Kastriotit, ku qëllimi është që ne të informojmë sportistët sa i përket ndalimit të përdorimit të substancave që janë të palejuara në futboll. Ashtu sikurse edhe dy vite më parë, në një seminar që ne patëm zhvilluar me Organizatën Ndërkombëtare të Antidopingut, qëllimi është që të informojmë sportistët dhe mjekët, mbi përdorimin e formularit TUE, që në bashkëpunim me mjekun, sportisti të deklarojë substancat që mund të ketë marrë qoftë edhe për trajtimin e një sëmundje apo një problem të tyrin realisht madhor shëndetësor dhe që janë të detyruar të përdorin substanca të tilla” – tha Dr. Begolli, i cili vlerësoi këto seminare që kanë të bëjnë me rritjen dhe zhvillimin e nivelit të futbollit në Shqipëri.

“Në këtë seminar që zhvilluam ditën e sotme, i dhamë një informacion se si mund të përdorin një formular të tillë, se si mund të aplikojnë në Organizatën Ndërkombëtare AntiDoping dhe në Organizatën Botërore AntiDoping. Në rast se ata do të testohen nga një agjent i AntiDoping, të kenë me vete të gjithë informacionin e nevojshëm për substancat që kanë marrë dhe për mos-përdorimin e tyre dhe nuk do të jenë të penalizuar. Është shumë e rëndësishme që nëpërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit, ne jemi në vazhdim të organizimit të këtyre seminareve, jo vetëm për AntiDoping, por edhe për seminare të tjera që kanë qëllim rritjen dhe zhvillimin e nivelit të futbollit në Shqipëri” – nënvizoi Ilvi Begolli për fshf.org.