Ja si programi “Playmakers” u mëson vajzave të vogla futbollin përmes argëtimit dhe personazheve të Disney - FSHF

Ja si programi “Playmakers” u mëson vajzave të vogla futbollin përmes argëtimit dhe personazheve të Disney

Në kuadër të projektit “Playmakers”, që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim UEFA-n dhe kompaninë e famshme “Disney”, vijon trajnimi i trajnereve që do të kualifikohen për të stërvitur vajzat e vogla të moshës 5-8 vjeç.

Në këtë trajnim marrin pjesë vajza dhe gra që janë të angazhuara në botën e futbollit, qoftë si futbolliste aktive qoftë si trajnere apo mësuese nga qytetet të ndryshme të vendit dhe pas përfundimit të trajnimit pjesëmarrëset do të kenë mundësi të punojnë në zonat prej nga vijnë me vajza të moshave të vogla, të cilat nuk kanë qenë të angazhuara më parë me futbollin, duke i stërvitur përmes argëtimit me historitë e personazheve të preferuar të filmave për fëmijë.

“Playmakers” synon t’i familjarizojë vajzat e vogla me botën e bukur të futbollin, të zbatojë një qasje të re, të personalizuar të stërvitjes, që përdor imagjinatën (frymëzuar nga historitë dhe personazhet e filmave të Disney) si mjet për stërvitjen dhe të mësuarit e aftësive në futboll. Gjithashtu, synon të përmirësojë aftësimin fiziko-teknik të vajzave dhe të nxisë një marrëdhënie të përhershme me futbollin në vazhdimësi. Përveç kësaj, programi synon të sigurojë më shumë mundësi miqësimi për vajzat për t’u përfshirë në futboll dhe për ta përdorur sportin për të ndihmuar vajzat që të bëjnë një jetë edhe më aktive.

Një nga pjesëmarrëset në këtë trajnim, Delma Muça, shprehet se “Playmakers” është një projekt ambicioz që mund të ndihmojë shumë në integrimin e vajzave në botën e futbollit që në moshë të vogël. Muça, e cila është njëkohësisht futbolliste, thekson se kjo përvojë do ta ndihmojë shumë për të marrë bazat e trajnimit dhe për të punuar në të ardhmen me fëmijët.

“Është një projekt shumë ambicioz. Unë jam vetë një futbolliste dhe e di se çfarë do të thotë ta nisësh nga fillimi futbollin. Është shumë e vështirë, sidomos në Shqipëri, por FSHF po na i lehtëson shumë gjërat dhe sidomos vajzave. Jam shumë ambicioze për planet dhe për strukturën e këtij projekti, kjo është edhe arsyeja që unë jam bërë pjesë e këtij programi. Ky trajnim synon që ne të marrim bazat e futbollit sa i përket trajnimit. Duke qenë se unë jam e angazhuar në futboll nuk e kemi provuar kurrë të jemi në rolin e trajneres dhe e dimë që është një përgjegjësi shumë e madhe, kështu që tani do të vendosim veten në këtë rol dhe me këtë projekt që Federata ka nisur do të na ndihmojë që të kemi bazat e trajnimit dhe të trajnojmë vajzat e vogla. Ky është qëllimi dhe kjo gjë të zhvillohet më pas në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm në Tiranë”, thotë Delma Muça për Fshf.org, duke shtuar më tej: -“Puna me vajzat e vogla është diçka shumë delikate, sepse mosha e tyre është e vogël dhe ne duhet t’u mësojmë atyre bazat e një njeriu të mirë së pari dhe pastaj të vazhdojmë me futbollin, duke qenë se sporti është edukatë më vete. Padyshim që kjo bëhet edhe me objektivin për të rritur dhe zhvilluar sa më shumë futbollin e vajzave, që të kemi sa më shumë prurje në klubet e futbollit për të vazhduar rritjen”.

Edhe Mynever Lisaku, e cila punon si trajnere e një skuadre futbolli vajzash në Durrës, vlerëson shumë këtë iniciativë të FSHF-së dhe shprehet se përfitimet do të jenë të mëdha në drejtim të trajnimit të vajzave të vogla, të cilat kanë nevojë për një përkujdesje edhe më të madhe.

“Sa i përket programit, Playmakers është me një perspektivë shumë të madhe për vetë faktin se futbolli është cilësuar si sporti i djemve dhe duke qenë se ne jemi fokusuar te moshat e vogla synojmë që vajzat të arrijnë të futen në botën e futbollit dhe ta prekin si fillim në formën e argëtimit përmes personazheve se sa të futbollit specifik. Mendoj se ky trajnim ka benefite të mëdha edhe për faktin se duke qenë vetë një trajnere e një ekipi vajzash në Durrës mund të përfitoj shumë për aspektin e trajnimit të vajzave që në moshë të vogël. Një trajnere futbolli duhet të jetë në të njëjtën kohë mësues, prind edukator për vajzat por edhe të jetë shumë e kujdesshme me moshat e vogla, duke qenë edhe vetë pak natyra e brishtë e vajzave edhe sepse trajnerët e futbollit kanë qenë gjithmonë meshkuj. Tani është koha që të kemi sa më shumë trajnere femra edhe në futboll”, – tha Mynever Lisaku në prononcimin e saj.

Programi “Playmakers”, që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, synon të zhvillojë e masivizojë futbollin e fëmijëve e veçanërisht atë të vajzave.