Intervista/ Presidenti Duka: Përmes bashkëpunimit me RTSH promovojmë, jo vetëm futbollin elitar, por edhe atë të vajzave & fëmijëve - FSHF

Intervista/ Presidenti Duka: Përmes bashkëpunimit me RTSH promovojmë, jo vetëm futbollin elitar, por edhe atë të vajzave & fëmijëve

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në një lidhje direkte në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH me gazetaren Albana Bejko.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar uroi nisjen e kampionatit, për një sezon sa më të mbarë dhe të suksesshëm, si dhe komentoi bashkëpunimin me RTSH-në për të drejtën e transmetimit.

Presidenti Duka tha se është i bindur se bashkëpunimi i ri i nisur me RTSH-në do të jetë shumë i mirë, pasi do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e produktit dhe do të promovohen edhe Kategoria e Parë, kampionati i vajzave dhe futbolli i fëmijëve.

Gjithashtu, Presidenti Duka foli edhe për formulën e “Final Four”, si dhe për çështjen e ligjit të sponsorizimit.

Më poshtë intervista e plotë e realizuar me gazetaren Albana Bejko:

Urimet e para për nisjen e sezonit të ri të kampionatit “Abissnet Superiore” dhe bashkëpunimi me RTSH-në? – Ishte dita e parë e kampionatit dhe si fillim unë dua t’i uroj të gjithë klubet, futbollistët, trajnerët dhe stafet e çdo ekipi për një kampionat sa më të mbarë, sa më shumë garë dhe emocion. Dua t’i uroj tifozët që ta shijojnë këtë kampionat dhe në të njëjtën kohë dua të uroj që të kemi mbarësi në bashkëpunimin e nisur për këtë kampionat dhe ta falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së, Alfred Peza. Besoj që kjo është një risi, por që do të jetë një bashkëpunim shumë i mirë sepse në fund të fundit ne jemi institucione publike. RTSH është një televizion publik dhe FSHF ka qëllim publik për promovimin e futbollit dhe ku më mirë se sa RTSH do ta bëjë atë. Që në ditët e para bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë dhe planet që kemi bërë janë të detajuara. Jam shumë i bindur që nëpërmjet sinjalit të RTSH-së, që është në çdo skaj të Shqipërisë do të promovohet shumë më mirë jo vetëm kampionati “Abissnet Superiore”, por edhe kampionatet e tjera. Ne kemi rënë dakord që do të promovojmë dhe transmetojmë edhe kampionatin e vajzave apo edhe Kategorinë e Parë, por edhe kampionatin e të rinjve. RTSH edhe në të shkuarën ka transmetuar dhe ka qenë gjithmonë i gatshëm për të promovuar futbollin dhe për të realizuar sa më shumë misionin e tij në qëllimin publik që ka. Edhe njëherë i uroj të gjithëve mbarësi, kryesisht klubeve, futbollistëve, trajnerëve, tifozëve, por edhe RTSH-së dhe ne si organizatorë të kampionatit. Bashkëpunimi me RTSH-në të jep më shumë mundësi për të pasur shumë gjëra të reja në mënyrat e transmetimit në kualitetin e tij. Pra do të jetë një produkt akoma më i mirë. Teknologjia çdo ditë e më shumë zhvillohet dhe me RTSH-në ne kemi mundësi që t’i implementojmë të gjitha dhe besoj që do të kemi një produkt shumë të mirë për teleshikuesit. Është shumë e rëndësishme që bashkë me RTSH-në do të promovojmë edhe futbollin e fëmijëve sepse në fund të fundit ky është qëllimi jonë që të kemi sa më shumë fëmijë që luajnë lojën tonë. Sot në Shqipëri janë rreth 23 mijë fëmijë që luajnë futboll, ka mundësi akoma për më shumë dhe kjo arrihet nëpërmjet përmirësimit të kushteve që ne i kemi paralesisht si sfida dhe prioritete të punës tonë.

Formula e “Final Four”?  – Qëllimi i kësaj formule është për të krijuar sa më shumë emocion. Vërtetë kemi surprizën në fundin e kampionatit, gjë që t’i bëjë më shumë njerëzit ta presin me emocion dhe kuriozitet fundin e tij. Nuk është vetëm ky lloj kompeticioni që përfundon me një Final Four, edhe nëse do shohim Champions League fillon me grupe, pastaj me eliminime dhe përfundon me një finale. Ky kampionat mendoj se duhet të bëhet më interesant. Ne kemi bërë një ndryshim pas shumë vitesh me një kampionat me 4 faza për të patur më shumë emocion, ndeshje dhe më shumë përgatitje për skuadrat. Që të shohim rezultatin, nuk mund të presim të vijë në një kampionat, por duhet të shohim më shumë se 2 kampionate për të parë rezultatet pozitive që vërtetë unë kam shumë besim që do t’i sjellë kjo formulë.

Ligji i sponsorizimit? – Unë uroj që siç filluam mbarë transmetimin e kampionatit me RTSH-në, që për mua është një hap vërtetë pozitiv të vazhdojmë gjatë këtij kampionati, të realizojmë ligjin e sponsorizimit, që do t’i japë një frymëmarrje ekonomike jo vetëm klubeve profesioniste të “Abissnet Superiore”, por të gjithë skuadrave të futbollit dhe individëve sportiv në Shqipëri. Nëse do të shohim Kosovën, që e ka këtë ligj, ka vërtetë shumë zhvillime pozitive. Kampionati është bërë interesant dhe klubet në kompeticionet europiane kanë patur rezultate të mira, gjithashtu edhe në lojërat olimpike patën rezultate të mira dhe vazhdojnë të kenë shumë më shumë masivizim të sportit. Ata e kanë ligjin e sponsorizimit, të njëjtën gjë që kërkojmë edhe ne. Mendoj që jemi në rrugën e mbarë dhe besoj që do të mbështetemi nga qeveria dhe parlamenti për ta realizuar dhe për t’i dhënë vërtetë frymëmarrje ekonomike sportit në Shqipëri. Nuk besoj se ligji i sportit do parashikojë edhe transmetimin apo detyrimin e kampionatit, por pse jo. Parlamenti dhe qeveria duhet të vendosi buxhete për të përballuar edhe të drejtat e transmetimit të ekipeve kombëtare, sepse sot të drejtat e transmetimit të ekipeve kombëtare janë të centralizuara në të gjithë Europën dhe nuk menaxhohen nga federatat nacionale, por nga Federata Europiane e Futbollit”.

Parashikimet e para të kampionatit “Abissnet Superiore”? – Kampionati nuk ka nisur akoma, kemi parë vetëm dy ndeshje. Ende nuk kemi parë se çfarë kanë bërë ekipet gjatë merkatos së verës, gjatë përgatitjeve dhe se çfarë do të shfaqin në fushën e lojës. Është shumë e vështirë të flasim sot, kemi parë vetëm dy ndeshje. Egnatia e ka nisur mbarë, është ekipi kampion në fuqi dhe duhet të sfidohet nga ekipet e tjera. Mendoj që kampionati ynë është i vështirë të parashikohet, pasi ndahet vetëm në fund.