Grumbullohet Kombëtarja e veteranëve, Mema tregon organizimin e ri: Stërvitje çdo javë & ndeshje miqësore ndërkombëtare - FSHF

Grumbullohet Kombëtarja e veteranëve, Mema tregon organizimin e ri: Stërvitje çdo javë & ndeshje miqësore ndërkombëtare

Kombëtarja e veteranëve të Shqipërisë ka zhvilluar një seancë stërvitore në fushat e Shtëpisë së Futbollit, në kuadër edhe të organizmit të ri të FSHF, që synon të ketë një skuadër të gatshme gjatë gjithë kohës për të marrë pjesë në ndeshje miqësore dhe turne ndërkombëtare.

Në këtë seancë të parë ishin të pranishëm disa prej lojtarëve, të cilët kanë dhënë kontribut për fanellën kuqezi në të kaluarën, ndërsa në vazhdim do të marrin pjesë e futbollistë të tjerë.

Trajneri i skuadrës së veteranëve, Sulejman Mema, shpjegon që të krijohet një traditë e bukur dhe ekipi të mund të zhvillojë rregullisht ndeshje, duke filluar nga një përballje e mundshme me Gjermaninë në muajt e ardhshëm e për të vazhduar edhe me rivalët e Shqipërisë në eliminatoret e Euro 2024.

“Kombëtarja e veteranëve është mbledhur edhe herë të tjera dhe ka zhvilluar ndeshje, por jo në këtë mënyrë organizimi që ne kemi menduar të bëjmë këtë herë. Kemi planifikuar të grumbullojmë lojtarë nga një grup-moshë e caktuar, që të bëjë paraqitje sa më të mira edhe në aktivitete ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit. Ne kemi bërë më parë ndeshje me përfaqësuesen e veteranëve të Kosovës, ndërsa jemi në tratativa për të luajtur një ndeshje me Gjermaninë në qendrën e ekipeve Kombëtare në Frankfurt.

Lojtarët do të mblidhen të paktën një herë në javë për t’u stërvitur në Shtëpinë e Futbollit dhe për t’u ambientuar me njëri tjetrin. Shpresojmë që të krijojmë një traditë të bukur dhe të mund të organizojmë gjithashtu ndeshje me veteranët e ekipeve rivale të Shqipërisë në grupin e kualifikueseve të Europianit 2024”, – thotë Mema në prononcimin e tij për Fshf.org.

Një nga lojtarët e ftuar është edhe ish-mbrojtësi i njohur kuqezi, Ervin Fakaj, i cili e vlerëson si shumë pozitive këtë iniciativë dhe mundësinë për të përfaqësuar sërish edhe në këtë moshë Shqipërinë.

“Është diçka shumë pozitive, jo vetëm për faktin se do të vijmë këtu dhe do të stërvitemi për të përfaqësuar përsëri edhe në këtë moshë ekipin Kombëtar, por edhe fakti që u bë e mundur që të jemi përsëri bashkë me njëri-tjetrin dhe të mund të luajmë bashkë, kjo është diçka shumë e bukur. Faktikisht ne kemi bërë disa ndeshje në të kaluarën, me dëshirën e mirë ne të gjithë kemi ardhur dhe kemi dhënë kontributin tonë aq sa kemi pasur mundësi. Tashmë nëse organizimi do të jetë më serioz edhe ndeshjet do të jenë më të planifikuara. Besoj se do të krijohet një traditë dhe më e mirë dhe besoj se do të jemi të kënaqur nga kjo eksperiencë”, – shprehet Fakaj.

Edhe ish-mesfushori i Kombëtares, Jahmir Hyka, shfaqet mjaft i kënaqur që i është dhënë mundësia për t’u ritakuar e luajtur futboll me ish-shokë të skuadrës dhe shpreson që kjo iniciativë të krijojë një traditë shumë të bukur.

“Është gjë shumë e bukur për të gjithë e sigurisht edhe në aspektin personal. Pas një kohe të gjatë kam mundësi të ritakohem me të gjithë çunat dhe të luajmë sërish bashkë. Shpresoj që do të vlejë edhe në të ardhmen. Ne do të grumbullohemi për stërvitje të paktën një herë në javë. Jam i bindur se do të jetë diçka e bukur që Shqipëria të ketë gjithmonë një kombëtare veteranësh, duke vlerësuar e kujtuar me këtë iniciativë edhe futbollistët që kanë dhënë kontribut për kombëtaren në të kaluarën”, – thotë Jahmir Hyka.

Skuadra do të stërvitet rregullisht në javët në vazhdim, teksa do të kompletohet edhe me emra të tjerë të cilët nuk patën mundësi të ishin të pranishëm në këtë seancë të parë për shkak të impenjimeve personale, në mënyrë që lojtarët të jenë formë sa më optimale për të marrë pjesë në ndeshjet do të organizohen mes veteranësh.