“Goalkeeping seminar” / Eksperti i njohur italian Grigioni, leksion me trajnerët e portierëve shqiptarë - FSHF

“Goalkeeping seminar” / Eksperti i njohur italian Grigioni, leksion me trajnerët e portierëve shqiptarë

Është përmbyllur edicioni i dytë i “Goalkeeping Seminar”, i dedikuar posaçërisht për trajnerët e portierëve që punojnë në futbollin shqiptar.

Seminari u udhëhoq nga Sektori i Edukimit në FSHF dhe u zhvillua në dy pjesë: e para teorike ku u diskutua mbi teknikat e portierit dhe rolin korrigjues të trajnerit, ndërsa pjesa e dytë ishte një seancë praktike në fushë mbi aksionet e portierëve në situatat e krosimeve.

Lektor në këtë seminar ishte një emër i shquar në futbollin italian, Prof. Adalberto Grigioni, i cili ka një eksperiencë të madhe si trajner portierësh me klube italiane, pasi në karrierën e tij ka trajnuar portierë të famshëm, që kanë ndikuar jo pak në rritjen e tij profesionale.

Gjithashtu, Prof. Adalberto Grigioni ka punuar për nëntë vite te klubi i Ternanës, ndërsa ka trajnuar portierët në klubin e Lazios në Seria A, për 18 vite me radhë. Në një prononcim të dhënë për fshf.org Prof. Grigioni, fillimisht vlerësoi mikpritjen shqiptare, ndërsa më tej shpjegoi rëndësinë e seminarit, që i jep mundësinë trajnerëve të portierëve për tu njohur me metodologji të reja pune. Gjithashtu Prof. Grigioni tregoi se te Lazio ka punuar edhe me dy portierët e Kombëtares shqiptare, Thomas Strakoshën dhe Etrit Berishën.

“Në Shqipëri më kanë pritur në mënyrë të shkëlqyer, jam ndjerë shumë mirë, ndihem i nderuar që jam këtu. Seminari shkoi shumë mirë, gjëja që më pëlqeu më shumë ishte fakti që djemtë ishin shumë të gatshëm për të ndjekur punën dhe mbi të gjitha ishin të vëmendshëm dhe dolën nga kursi me një bagazh njohurish edhe më të pasur se më parë.

Këto seminare janë shumë të rëndësishëm në nivel federatash, sepse u japin mundësinë të rriten dhe të njihen me metodologji të tjera pune dhe mbi të gjitha për t’u dhënë diçka më shumë portierëve. Jo vetëm në aspektin profesional dhe teknik, por mbi të gjitha në qasjen që dikush ka për punën, me përulësi, me pasion dhe kjo është thelbësore.

Kam pasur mundësinë dhe fatin të punoj me Thomas Strakoshën, të cilin e kam rritur sepse kam punuar me të që kur ishte 16 vjeç e për 9 vjet me radhë, edhe me Etrit Berishën gjithashtu, por edhe ata e kanë vlerësuar shumë jo vetëm punën në fushë, por edhe qasjen time ndaj punës. Me përulësi dhe shumë pasion, këto janë gjërat më të rëndësishme”, – tha Adalberto Grigioni.

Ndërsa, Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, theksoi se Sektori i Edukimit në federatë ka si synim në çdo edicion t’u ofrojë pjesëmarrësve mundësinë për t’u rritur profesionalisht, duke sjellë në Shqipëri eksperiencën e profesionistëve më të mirë.

“Departamenti ynë teknik dhe Sektori i Edukimit është gjithnjë i gatshëm për t’u ofruar mundësinë të gjithë atyre të cilët duan të përmirësohen dhe të rriten profesionalisht, duke u ofruar eksperiencën e profesionistëve.

Kështu kemi bërë dhe këtë herë, kur kishim të ftuar një mjeshtër portierësh, përveçse ka pasur një eksperiencë të madhe si trajner, dhe është shndërruar në rrugëtimin e karrierës së tij një mjeshtër i madh dhe ka qenë në dispozicion të trajnerëve tanë”, – theksoi Fulvio Pea.