“Future Leaders in Football”, Federata Gjermane zgjedh Shqipërinë për programin që synon fuqizimin e rolit të vajzave në futboll - FSHF

“Future Leaders in Football”, Federata Gjermane zgjedh Shqipërinë për programin që synon fuqizimin e rolit të vajzave në futboll

Federata Gjermane e Futbollit, në bashkëpunim me GIZ (German Society for International Cooperation) po organizon që prej të hënës në Shqipëri, edicionin e katërt të programit shumë të rëndësishëm ‘Future Leaders in Football’.

Pas tre edicioneve të para të programit, të zhvilluara fillimisht online për shkak të pandemisë e më pas në Jordani dhe në Katar, ky program trajnimi kaq unik për profesionistët e rinj të futbollit po mbahet në vendin tonë që prej të hënës së 2 tetorit.

FLF është i fokusuar në formimin e lidereve të reja të ardhshme vajza nga mosha 18-29 vjeçe, jo vetëm nga Shqipëria, por nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi, Slloveni) si edhe dy pjesëmarrëse nga Paraguai dhe Gjermania.

Federata Gjermane e Futbollit ka përzgjedhur 4 pjesëmarrëse nga Federata Shqiptare e Futbollit, si edhe dy vajza nga arbitrimi dhe futbolli shqiptar, të cilat po marrin eksperiencën më të mirë nga ekspertë të fushës së lidershipit, komunikimit, si edhe po zhvillojnë aftësitë e tyre në ekosistemin e futbollit.

Programi fokusohet jo vetëm në lidershipin, por edhe në rritjen e diversitetit, përfshirjes dhe qëndrueshmërinë brenda kontekstit të sportit, me qëllim promovimin e lidereve të reja që janë pjesë e kësaj industrie. Të gjithë pjesëmarrësit po ndajnë përvojat e tyre dhe po mësojnë nga ekspertët e huaj që gjenden në Shqipëri.