Futsall/ Shqipëria barazon pa gola miqësoren e parë me Malin e Zi - FSHF

Futsall/ Shqipëria barazon pa gola miqësoren e parë me Malin e Zi

Shqipëria e Futsallit barazoi pa gola ndeshjen e parë miqësore kundër përfaqësueses së Malit të Zi. Në takimin e zhvilluar pasditen e sotme në qytetin e Nikshiqit të vendit fqinj, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Erind Resuli nuk shkuan më larg se barazimi 0-0, në një lojë mjaft emocionuese dhe të luftuar.

Tekniku shqiptar e nisi ndeshjen me këtë 5-she titullare: Christiano Da Silva Cardoso, Azem Brahimi (C), Ermir Kryeziu, Halim Selamaj, Arif Limani. Kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë, duke menaxhuar mirë ndeshjen dhe duke prodhuar disa raste për gol. Pjesa e parë mbyllet me shifrat e bardha 0-0, teksa rezultati nuk ndryshon as në pjesën e dytë të takimit.

Ekipi shqiptar luajti mjaft mirë, teksa i mungoi vetëm fati në disa episode mjaft të mira, ku kishin mundësinë të kalonin në epërsi dhe të fitonin ndeshjen. Takimi i parë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi mbyllet me rezultatin 0-0.

Kombëtarja e futsallit do të luajë edhe një tjetër miqësore nesër, po ndaj Malit të Zi. Miqësorja është programuar të luhet në Nikshiq në ora 16:00. Këto dy takime janë shumë të rëndësishme për stafin teknik të Kombëtares së futsallit, që po punon prej kohësh për zbulimin e lojtarëve të rinj për të rinovuar skuadrën para impenjimeve të ardhshme në kompeticione zyrtare.