“Futbolli na bashkon"/ FSHF organizon ndeshje miqësore mes “Caritas Albania” & “B&B Autizmi Flet” - FSHF

“Futbolli na bashkon”/ FSHF organizon ndeshje miqësore mes “Caritas Albania” & “B&B Autizmi Flet”

Në kuadër të strategjisë së përgjegjësisë sociale të lançuar nga Federata Shqiptare e Futbollit më 30 prill, që ka si qëllim mbështetjen dhe ndërmarrjen e nismave me karakter social për ta bërë futbollin më gjithëpërfshirës, u zhvillua një ndeshje e veçantë miqësore mes skuadrës së “Caritas Albania” dhe skuadrës “B&B Autizmi Flet”.

Kjo ndeshje u zhvillua në “Shtëpinë e Futbollit” dhe përfundoi me rezultatin 5 – 3 në favor të skuadrës së “Caritas Albania”. Përveç emocioneve të ndeshjes, aktiviteti solli një frymë shumë të bukur dhe pozitive ndërmjet lojtarëve.

Aktivitete të tilla që afrojnë komunitetin me futbollin janë pjesë e pandarë e nismave që Federata Shqiptare e Futbollit ndërmerr vazhdimisht, me qëllim që çdokush të ketë mundësinë të bëhet pjesë e sportit më të bukur në botë.