Futbolli i jep lamtumirën Dashamir Gëzdarit - FSHF

Futbolli i jep lamtumirën Dashamir Gëzdarit

Ka qenë një lajm i dhimbshëm për të gjithë futbollin shqiptar, ai i ndarjes nga jeta të ish portierit të njohur dhe trajnerit përgatitës të portierëve, Dashamir Gëzdari. I gjithë komuniteti i futbollit, e ka përjetuar në mënyrë të trishtë, këtë humbje, e cila i ka befasuar të gjithë. Dashamir Gëzdari, deri në orët e fundit të jetës, ka qenë tepër i lidhur me sportin e jetës së tij, futbollin. Pak orë përpara se të largohej nga jeta, ai vazhdonte stërvitjen, si trajner përgatitës i portierëve me skuadrën e Kukësit. Ashtu,si gati një gjysmëshekulli me rradhë, të cilin ai ja përkushtoi futbollit dhe zhvillimit të lojës. Federata Shqiptare e Futbollit dhe Presidenti Armand Duka, ngushëllojnë familjen për humbjen e njeriut të tyre të dashur dhe shprehin ngushëllimin e thellë për të.

“Futbolli, ka humbur një njeri të përkushtuar, të gjallë dhe punëtor, i cili gjatë gjithë kohës ka qenë pjesë e rëndësishme e zhvillimit të tij. Do ta ndjejmë të gjithë mungesën e Dashit, këtij specialist dhe miku të mirë”, ka deklaruar për faqen zyrtare të FSHF, presidenti Armand Duka.