Futbolli 9×9 / Prestige MFC mund në finale Roamel dhe fiton Superkupën 2022! - FSHF

Futbolli 9×9 / Prestige MFC mund në finale Roamel dhe fiton Superkupën 2022!

Sezoni i futbolli amator i formatit 9×9 ka pasur një moment kulmor këtë javë me finalen e Superkupës 2022. Përballë në këtë ndeshje të veçantë, të luajtur në kompleksin “Skënder Halili” të Tiranës, u vunë kampionët e “FSHF Sunday League Albania” për sezonin 2021-2022, Roamel dhe fituesit e FSHF Cup të edicionit, Prestige MFC.

Ndeshja ka qenë mjaft e bukur dhe me emocione e gola, teksa pjesa e parë është mbyllur me avantazhin e Prestige MFC 1-0 pas një loje të ekuilibruar. Në pjesën e dytë Roamel merr disa herë iniciativën për të gjetur barazimin, por nuk ia arrin dot.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Prestige MFC arrin të dyfishojë rezultatin dhe më pas gjen rrugën e rrjetës edhe tre herë të tjera deri në fund, duke fiksuar rezultatin përfundimtar në shifrat 5-0 e duke siguruar kështu Superkupën e futbollit 9×9 për edicionin 2022.

Në përfundim të finales është organizuar edhe ceremonia tradicionale, me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv në FSHF, Bardhyl Jera dhe përgjegjësin e Drejtorisë së Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri, të cilët i dorëzuan trofeun dhe medaljet për ekipin fitues Prestige MFC.