FSHF Sunday League +35/ Çfarë duhet të dini për kampionatin e ri të futbollit amator që nis së shpejti - FSHF

FSHF Sunday League +35/ Çfarë duhet të dini për kampionatin e ri të futbollit amator që nis së shpejti

Federata Shqiptare e Futbollit do të vijë me një risi këtë vit të ri futbollistik, kampionatin e futbollit amator ‘FSHF Sunday League +35’. Së shpejti pritet të nisë edicioni i parë i këtij kampionati që do të organizohet në rang kombëtar për të gjithë të apasionuarit e futbollit që janë mbi moshën 35 vjeç.

Duke parë popullaritetitn e kësaj loje që luhet masivisht në Shqipëri, jo vetëm nga të rinjtë, por edhe nga nga mosha +35 vjeç, Federata Shqiptare e Futbollit vendosi të krijojë një strukturë të posaçme, duke krijuar këtë kampionat të ri, që është një nëndegë e kampionatit ‘FSHF Sunday League’, tashmë i afirmuar jo vetëm në Tiranë, por edhe në Korçë.

Kampionati i futbollit ‘FSHF Sunday League +35’ do të jetë i përbërë nga 3 grupe me nga katër ekipe. Duke qenë viti i parë i këtij kampionati, maksimumi i ekipeve pjesëmarrëse do të jetë 12. Numri maksimal i futbollistëve për secilin ekip do të jetë 25, teksa ndeshjet do të zhvillohen në formatin e kampionatit 9×9, ku në fushën që do të ketë dimensionet 70 me 50, do të zbresin nga 9 lojtarë për secilën skuadër. Kushdo mund të marrë pjesë në këtë garë, pavarësisht kombësisë që kanë.

Çdokush që ka dëshirë të krijojë një skuadër, apo dëshiron të bëhet pjesë e një ekipi i ka të gjitha mundësitë, teksa Departamenti i Futbollit Amator në FSHF bën me dije se regjistrimet e skuadrave dhe lojtarëve vijojnë ende dhe kushdo mund të dërgojë një e-mail në [email protected] ose [email protected].