FSHF organizon workshop dy-ditor në bashkëpunim me UEFA-n me temë “Implementimi i strategjisë” - FSHF

FSHF organizon workshop dy-ditor në bashkëpunim me UEFA-n me temë “Implementimi i strategjisë”

Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n ka zhvilluar një workshop dy-ditor me temën “Strategy Implementation”, me pjesëmarrjen e Adam Walker, Marcus Macdonald dhe Oleksandr Kucheriavyi, nga Oak Consultancy.

Fokusi i këtij trajnimi ishte implementimi i strategjisë aktuale në mënyrë efikase, për të përmbushur objektivat e vendosur dhe hartimi i strategjisë së radhës, duke u fokusuar te qëllimi dhe impakti që do të ketë në shoqëri.

Në këtë workshop të zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit” morën pjesë anëtarë të stafit dhe drejtues të departamenteve të ndryshme në FSHF, të cilët janë të angazhuar vazhdimisht në mbarëvajtjen e strategjisë dhe implementimin e saj, nëpërmjet projekteve, trajnimeve dhe investimeve të Federatës.

Lektorët prezantuan aspektet teknike dhe hapat që duhet të ndiqen për implementimin e strategjisë hap pas hapi, elementët organizativë dhe kulturorë që duhen marrë në konsideratë, si dhe rëndësinë e komunikimit nëpërmjet departamenteve për të rritur bashkëpunimin dhe performancën e grupeve të punës.

Trajnimi ishte shumë interaktiv, duke përfshirë diskutime mbi aspektet teorike të çështjeve të trajtuara, si dhe punë praktike në grup për të konkretizuar aplikimin e njohurive të marra dhe rritjen e përfshirjes së secilit pjesëmarrës në implementimin e strategjisë.

Gjithashtu, lektorët Adams dhe Macdonald u pritën në një takim edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, ku diskutuan mbi organizimin e punës në Federatë, projektet dhe eventet e rëndësishme që FSHF zhvillon në bashkëpunim me UEFA-n për zhvillimin e futbollit në Shqipëri.

Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar strategjinë “Futbolli për kombin” në vitin 2022 dhe brenda saj punohet njëkohësisht me disa strategji që kanë si fokus futbollin e vajzave dhe fëmijëve, edukimin, kompeticionet kombëtare, infrastruktura, qeverisja, marrëdhëniet me publikun dhe përgjegjësia sociale.