FSHF organizon për të dytin vit programin ‘Playmakers’ me UEFA dhe ‘Disney’. Interes i lartë i qendrave, qyteteve dhe trajnereve ku zhvillohet projekti - FSHF

FSHF organizon për të dytin vit programin ‘Playmakers’ me UEFA dhe ‘Disney’. Interes i lartë i qendrave, qyteteve dhe trajnereve ku zhvillohet projekti

Një nga prioritetet kryesore të Federatës Shqiptare të Futbollit për vitet në vijim është zhvillimi i futbollit të fëmijëve dhe vajzave. E për këtë arsye, institucioni i futbollit në vend ka vendosur që të organizojë për të dytin sezon radhazi programin “Playmakers”, në bashkëpunim me kompaninë e famshme “Disney” dhe UEFA-n, në shtatë qytete të Shqipërisë: Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier, Korçë e Lezhë.

Programi “Playmakers” përfshin përpjekjet intensive të Federatës së Futbollit për t’i siguruar më shumë mundësi vajzave të vogla nga mosha 5 deri në 8 vjeç, që të njihen me futbollin e ta praktikojnë sa më shumë këtë sport. Ky është viti i dytë radhazi që ky program realizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit, teksa në ndryshim nga edicioni i parë, këtë vit interesi është shtuar më tepër, në qendra të ndryshme, trajnerë apo qytete të Shqipërisë.

Në sezonin 2021-2022, programi shtrihej në pesë qytete të vendit, Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan e Fier dhe përfshinte në total 26 qendra, ndërsa në këtë edicion të dytë, programi ‘Playmakers’, do të shtrihet edhe në Lezhë dhe Korçë dhe do të përfshijë 34 qendra. Falë trajnimeve të shumta të bëra nga Federata Shqiptare e Futbollit, edhe trajnerët e këtij programi janë shtuar, teksa numri tashmë ka shkuar në 40. Këto trajnere të certifikuara do të punojnë me vajzat e vogla nëpër qendra të ndryshme gjatë këtij sezoni.

Programi ‘Playmakers’ ka si qëllim që të zhvillojë një mjedis futbolli ku vajzat e vogla të gjejnë një vend të sigurt dhe argëtues për të luajtur, ndërsa do të ndihmojë edhe Federatën Shqiptare të Futbollit që të angazhojë vajzat e grupmoshave 5-8 vjeçe që luajnë futboll për herë të parë dhe t’u krijojë atyre mundësinë që ato të luajnë rregullisht. Veç kësaj, përmes këtij programi, vajzat e vogla zhvillojnë edhe imagjinatën e tyre përmes historive dhe personazheve të Disney-t, duke i përdorur ato si mjet për stërvitjen dhe të mësuarit e aftësive në futboll.

E mbi të gjitha, programi ‘Playmakers’, i organizuar nga Federata e Futbollit synon të sigurojë më shumë mundësi miqësimi për vajzat që në vegjëli, ndërsa u mundëson vogëlusheve një jetë më aktive dhe më të shëndetshme.