FSHF nis projektin për Departamentin e Mjekësisë Sportive - FSHF

FSHF nis projektin për Departamentin e Mjekësisë Sportive

Roli i Mjekut dhe Fizioterapistit në Sport, ishte leksioni hapur që mbajti ditën e sotme Doktori kombëtares shqiptare, Gianluca Stessina, për studentët e Universitetit Aldent. Leksioni i Doktor Stessinas për studentët e mjekësisë dhe fizioterapisë kishte si qëllim njohjen me perspektivat e reja të këtyre profileve në sport dhe ofrimin e asistencës për studentët, të cilëve do ti ofrohen leksione praktike në qendra rikuperimi nga mjekë specialistë dhe fizioterapistë, sesi punohet me lojtarë që kanë probleme fizike, si dhe mënyrën e plotësimit të protokolleve mjekësore. Gianluca Stessina ka punuar për shumë vite te Torino dhe Juventusi, ku ka qënë drejtues i stafit mjekësor dhe aktualisht është pjesë e Juventus Medical.

Federata Shqiptare e Futbollit synon të krijojë një Departament Mjekësor për të furinizuar të gjithë skuadrat kombëtare me mjekë sportivë dhe fizioterapistë, por në të njëjtën kohë shumë të rinj të përfshihen në botën e sportit duke i shërbyer të gjithë botës futbollistike shqiptare. Puna sigurisht që do të fillojë në Universitete, për të përgatitur nga ana teorike studentët mbi ekzamimin e duhur dhe punën specifike që bëhet më pas për rikuperimin e traumave sportive. Prezantimet dhe takimet me me studentët e Universiteteve do të vazhdojnë, për të gjetur mjekë dhe fizioterapistë që dëshirojnë të trajnohen dhe kualifikohen në drejtimin e sportit. Në Shtëpinë e Futbollit do të ngrihet dhe një Qendër Mjekësore e cila do të shërbejë për të trajtuar traumat sportive të sportistëve shqiptarë nga stafe të kualifikuara.

FSHF synon të përmirësojë të gjithë strukturën në drejtim të Mjekësisë Sportive, për tu rritur në shumë dimensione, në funksion të këtij projekti të ri që do ta kthej Shqipërinë në lider rajonal përsa i përket trajtimit të traumave sportive.