FSHF nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme për garantimin e rendit & sigurisë publike në mjediset sportive - FSHF

FSHF nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme për garantimin e rendit & sigurisë publike në mjediset sportive

Federata Shqiptare e Futbollit dhe Ministria e Brendshme kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në mjediset sportive ku organizohen dhe zhvillohen ndeshjet e futbollit.

Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” u nënshkrua ky memorandum ku të pranishëm ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, përfaqësues të FSHF-së dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme.

Memorandumi i bashkëpunimit mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Brendshme përfshin disa pika kryesore që janë:

  • Angazhimi i FSHF dhe Ministrisë së Brendshme për të zbatuar ligjet në fuqi për parandalimin e dhunës në ambientet sportive.
  • Forcimi i bashkëpunimit mes palëve për reduktimin e dhunës në futboll, duke promovuar kështu një mjedis të sigurt për të gjitha aktorët e përfshirë.
  • Hartimi i politikave gjithëpërfshirëse kundër dhunës dhe zbatimi i tyre, marrja e masave parandaluese, iniciativave edukative dhe ndërgjegjësuese, si dhe masa ndëshkimore të rrepta për shkelësit.
  • Hartimi, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, dhe zbatimi i politikave gjithëpërfshirëse kundër paracaktimit të rezultateve në ndeshjet e futbollit. Këtu përfshihen masa parandaluese, iniciativa edukuese dhe masa ndëshkimore të rrepta sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
  • Krijimi i kanaleve për shkëmbimin e informacionit në kohë, për të parandaluar dhunën në futboll dhe për trajtimin dhe ndjekjen e rasteve të paracaktimit të rezultateve të ndeshjeve.
  • Takime të përbashkëta çdo dy muaj, ose edhe më shumë nëse është e nevojshme, për të diskutuar masat e ndërmarra, incidentet dhe problematikat e hasura. Në këto takime mund të jenë edhe palë të tjera.
  • Angazhimi i FSHF dhe Ministrisë së Brendshme për të zbatuar detyrimet. Detyrimet e FSHF dhe anëtareve të saj lidhen me njoftimin e kalendarit të ndeshjeve, marrjen e masave organizative, zbatimin e ligjit për “Masat shtesë të sigurisë publike”, që përkon me vendosjen e kamerave, kontraktimin e Shoqërive Private të Sigurimit Fizik dhe hartimin e skemës së ruajtjes së objektit.
  • Detyrimet e Ministrisë së Brendshme lidhen me procedimin penal të shkelësve të ligjit, ndalimin e tyre për t’u futur në stadiume dhe mjedise sportive, ndërkohë që Policia e Shtetit merr masat që personat e dënuar të paraqiten në komisariatet e policisë ditën e ndeshjes.
  • FSHF dhe Ministria e Brendshme angazhohen në fushatat e ndërgjegjësimit e publikut për pasojat e sjelljes së dhunshme. Përmes këtyre fushatave synohet të promovohet kultura pozitive e tifozëve në veprimtaritë sportive, duke vëne thkesin te gjithëpërfshirja dhe kënaqësia e futbollit si një përvojë e përbashkët.

Menjëherë pas firmosjes së memorandumit të bashkëpunimit, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tha se kjo marrëveshje shërben për të ofruar një ambient sa më të mirë dhe të sigurt në çdo stadium dhe event sportiv.

“Tashmë, me dëshirën e mirë për të patur një ambient më të kulturuar në stadium, për të ofruar një ambient etik, për të ofruar më shumë vajza, gra dhe fëmijë në stadium, kemi kaluar në një stad më zyrtar dhe kemi propzuar një memorandum bashkëpunimi me Policinë që nuk është diçka shtesë, por ato që parashikojnë ligjet, rregullat dhe ato që kemi ne objektiva të përbashkëta. Askush nuk mund të bëjë diçka vetëm pa një bashkëpunim të frytshëm. Duke ju falënderuar edhe njëherë për mbështetjen që na keni dhënë deri tani, duke ju shprehur gatishmërinë tonë për çdo lloj bashkëpunimi për futbollin por edhe jashtë tij, sepse kryesisht sfidat tona të rëndësishme tani nuk janë vetëm garat dhe rezultatet sportive, por si ne nëpërmjet futbollit të ndikojmë në ndryshimin e jetës së vendit, si të japim mesazhe pozitive, paqeje, bashkëjetese dhe për të ndihmuar shtresat në nevojë. E kemi bërë dhe do ta vazhdojmë akoma më shumë edhe bashkëpunimin me Ministritë e tjera, Shëndetësisë, Arsimit dhe Sportit, por pika jonë e referimit me qeverinë është Ministra e Brendshme. Dua t’ju falënderoj edhe njëherë që jeni këtu. Ministër, të falënderoj për mbështetjen dhe për memorandumin e bashkëpunimit që do të firmosim.  Ne kemi përgatitur gjithçka për “Euro 2024” nga pikëpamja organizative kështu që edhe ne si ju dhe gjithë shqiptarët do presim nga çunat që do kemi në fushë të na kënaqin në Gjermani dhe të na mbajnë sa më gjatë” – tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, u shpreh se ky bashkëpunim ka si qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në mjediset sportive ku organizohen dhe zhvillohen ndeshjet e futbollit.

“Faleminderit President. Pikë së pari për të vijuar mbështetjen e pakufishme që Ministria e Brendshme është e gatshme t’i japi FSHF-së, por edhe për ta konkretizuar këtë bashkëpunim në një dokument strategjik sikurse është ky memorandum bashkëpunimi, i cili ka si qëllim garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në mjediset sportive ku organizohen dhe zhvillohen ndeshjet e futbollit. Siç jeni në dijeni në bashkëpunim me ju ne do të kemi edhe një ekip që do të ndjekë nga afër mbarëvajtjen e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Kampionatin Europian. Ky është një hap i rëndësishëm në përpjekjet tona të përbashkëta për të rritur sigurinë dhe rendin në mjediset sportive ku zhvillohen ndeshjet e futbollit në vendin tonë, në të gjitha kompeticionet dhe memorandumi që nënshkruajmë sot ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e sigurisë publike kryesisht mes FSHF-së dhe Policisë së Shtetit, duke krijuar mjedise të sigurta për të gjjithë pjesëmarrësit qofshin këta tifozë apo aktorë të tjerë të përfshirë në evenimentet sportive. Ministria e Brendshme dhe FSHF angazhohen prej sot të bashkëpunojnë shumë më ngushtë se më parë për të hartuar dhe zbatuar politika më gjithëpërfshirëse kundër dhunës dhe paracaktimit të rezultateve sportive me metoda dhe punë hetimore parapraket, inteligjencë policore në mënyrë që të godasim fenomenet negativ që dëmtojnë konkurencën e drejtë sportive. Dua që t’ju falënderoj dhe përgëzoj të gjithëve, së pari ju President dhe të gjithë stafin e ekipit Kombëtar për këtë rezultat historik dhe jam shumë i sigurt që falë përpjekjeve të përbashkëta dhe përkushtimit tuaj ne tanimë kemi një dokument strategjik”, tha Ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Historiku i mirë i marrëdhënieve mes FSHF-së dhe Ministrisë së Brendshme është i hershëm. Edhe gjatë kualifikueseve të “Euro 2024” bashkëpunimi ka qenë shumë pozitiv, teksa janë zhvilluar disa takime të frytshme për garantimin e rendit si dhe është parandaluar në kohë edhe futja e mjeteve piroteknike në stadium.