FSHF ndërton fushë sportive për Institutin e Ri-integrimit të të Miturve Kavajë, Duka: “Fokusi jonë janë fëmijët” (VIDEO)

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka marrë pjesë ditën e sotme në ceremoninë e inagurimit të fushës sportive në Institutin e Ri-integrimit të të Miturve në Kavajë. Kjo fushë sportive është një investim i FSHF, për ti dhuruar një ambient dinjitoz brenda të gjithë standarteve fëmijëve dhe të rinjve që jetojnë në këtë institucion.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Duka theksoi faktin se FSHF do të fokusohet shumë te përmirësimi infrastrukturës sportive për fëmijët dhe futbollin amator. “Për mua është një kënaqësi e madhe që jam sot këtu, në një ditë jo shumë të zakontë, por një ditë që i shërben shumë institicionit që unë drejtoj, futbollit. Fokusi kryesor i Federatës Shqiptare të Futbollit janë fëmijët, përtej se ku janë në një moment të caktuar, ata duhet të luajnë futboll. Institucioni është gjendur përballë faktit që infrastruktura sportive e futbollit profesionist ka qënë e mangët dhe deri më tani është orientuar më shumë atje, por detyra jonë kryesore është infrastruktura për fëmijët, jo futbolli profesionist por ai amator për çdo të ri kudo ku ndodhet. Në këtë këndvështrim duhet të them se, që ditën e parë që drejtori i institucionit ka bërë kërkesë në FSHF, Komiteti Ekzekutiv e ka miratuar pa hezitim këtë investim. Fëmijët që ndodhen këtu luajnë futboll, institucioni dhe ne kemi për detyrë ti edukojmë, edukimi apo riedukimi janë shumë afër, i gjithë qëllimi është që ne të bëhemi pjesë e një shoqërie të shëndetshme. Me qëllimin për një shoqëri të shëndetshme kemi investuar në një fushë që i plotëson të gjitha kushtet dhe kërkesat për fëmijët që do të luajnë. Uroj që të kënaqen dhe të luajnë sa më shumë futboll, dhe kur të jenë jashtë këtij institucioni të merren sa më shumë me sport. Ju falenderoj shumë për pritjen që keni organizuar si institucion, falenderoj të rinjtë që janë sot këtu në fushë për të inaguruar këtë mini-impiant sportiv”, theksoi Armand Duka.

I kënaqur dhe entusiast për këtë ambient të ri sportiv që ka ndërtuar Federata Shqiptare e Futbollit u shfaq dhe një nga të rinjtë që janë pjesë e këtij institucioni. “Ndihemi të privilegjuar që jeni sot këtu, sot është një ditë e veçantë për ne sepse sot ju dha jetë një projekti të shumëpritur për ne. Falenderoj Federatën Shqiptare të Futbollit që na mundëson zhvillimin e sportit më popullor dhe të pëlqyer, futbollin, duke na dhënë mundësi të kemi një fushë edhe më të mirë se bashkëmoshatarët tanë jashtë këtij institucioni. Vëmëndja juaj ka treguar se ka edhe njerëz të tjerë përveç familjes që kujdesen dhe përkushtohen për ne, në mënyrë që ne të ndihemi sa më komod në ambientet e këtij institucioni”.