Finalja e Europa League në Budapest, Presidenti Duka & liderët e UEFA-s priten nga Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán - FSHF

Finalja e Europa League në Budapest, Presidenti Duka & liderët e UEFA-s priten nga Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, njëherësh edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s ishte ftuar për të ndjekur finalen e Europa League mes Seviljes dhe Romës, që u zhvillua të enjten në stadiumin “Pushkas Arena” të Budapestit, Hungari.

Ditën e finales së madhe, Presidenti Duka së bashku me Presidentin e UEFA-s, Alexander Ceferin, anëtarët e KE-së së UEFA-s apo edhe drejtues të federatave europiane u pritën në një drekë pune të organizuar nga Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Në këtë takim, Presidenti i UEFA-s, Ceferin vlerësoi mikpritjen dhe organizimin e këtij eventi gjigand nga Federata Hungareze e Futbollit dhe qeveria hungareze, si edhe theksoi faktin që stadiumi “Pushkas Arena” është impresionues dhe i shkëlqyer për të pritur finale të mëdha europiane.

Gjatë vizitës Presidenti i FSHF-së, Duka pati mundësinë të diskutonte me liderët e futbollit europian për të ardhmen e futbollit dhe për bashkëpunime eventuale për të zhvilluar lojën më të dashur në botë.