Finalet e Kampionatit të Futsallit 2023/ Flamurtari nuk dorëzohet dhe mposht Tiranën, titulli vendoset në ndeshjen e 3-të - FSHF

Finalet e Kampionatit të Futsallit 2023/ Flamurtari nuk dorëzohet dhe mposht Tiranën, titulli vendoset në ndeshjen e 3-të

Është luajtur ndeshja e dytë e finales së Kampionatit Kombëtar të Futsallit midis Tiranës dhe Flamurtarit. Sfida e zhvilluar në Pallatin e Sportit “Asllani Rusi” të kryeqytetit përfundoi me fitoren 2-1 të Flamurtarit, duke bërë që titulli kampion të vendoset në duelin e tretë mes këtyre dy skuadrave që do të luhet pas disa ditësh në Vlorë.

Ka qenë një ndeshje mjaft e luftuar dhe shumë e balancuar nga fillimi deri në fund, që është vendosur vetëm në minutat e fundit që kanë qenë shumë emocionuese. Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 0-0 pavarësisht se të dyja finalistet kanë tentuar vazhdimisht të zhbllokojnë rezultatin, por pa sukses.

Edhe pjesa e dytë ka vijuar me të njëjtin ritëm, teksa ka pasur raste për shënim si nga Flamurtari ashtu edhe nga Tirana. Në minutën e 38-të Flamurtari arrin të gjejë avantazhin, duke shënuar golin e parë me anë të Gjoklajt. Gjithsesi, Tirana gjen shumë shpejt shansin për të barazuar pasi vlonjatët plotësojnë numrin e 6 faulleve dhe arbitri akordon penallti për bardheblutë. Nga pika e bardhë Kaca tregohet i saktë, duke barazuar momentalisht shifrat në 1-1.

Në minutën e 40-të dhe të fundit Flamurtari arrin të gjejë edhe golin e fitores pasi Kaca i Tiranës devijon një gjuajtje në portë, duke shkaktuar autogol. Në sekondat e mbetura rezultati nuk ndryshon dhe Flamurtari fiton sfidën e dytë 2-1, duke bërë që kampioni të shpallet në Vlorë.

Kujtojmë se ndeshja e parë e finaleve mes Flamurtarit dhe Tiranës e luajtur në Vlorë përfundoi 9-3 në favor të ekipit kryeqytetas. Dy ekipet erdhën në këtë finale pasi mbyllën sezonin e rregullt në dy vendet e para dhe arritën të kalonin edhe turin play-off, duke siguruar kështu shansin për të siguruar trofeun më të rëndësishëm sezonal, që siguron ekipit kampioni një biletë për në UEFA Futsal Champions League.

 

Kampionati Kombëtar i Futsallit

 Finalet

 

Ndeshja e parë

Flamurtari-Tirana       3-9

Shënues: Kalus 6’, Kapaj 38’, Qopekaj 39’ / Mërtiri 1’, 30’, Kaca 8’, 10’, 39’, Prendi 12’, 34’, Doçi 13’, Muça 33’

 

Ndeshja e dytë

Tirana-Flamurtari           1-2

Shënues: Kaca 40’ (p)/ Gjoklaj 38’, Kaca (ag) 40’

 

Ndeshja e tretë / 30.04.2023 Vlorë

Flamurtari -Tirana