Finalet e Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17/ Mbërrin këtë javë delegacioni i UEFA-s për vizitën e parë inspektuese - FSHF

Finalet e Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17/ Mbërrin këtë javë delegacioni i UEFA-s për vizitën e parë inspektuese

Një delegacion i UEFA-s do të mbërrijë këtë javë në Shqipëri për të zhvilluar vizitën e parë inspektuese katër ditore në kuadër të organizimit të finaleve të Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17 të djemve. Edhe pse finalet do të luhen në vitin 2025, përgatitjet për të organizuar në mënyrë sa më perfekte këtë event madhor nisin që këtë javë, me përfaqësues të UEFA-s të cilët do të intensifikojnë vizitat e tyre në vazhdim.

Në këtë vizitë të parë, grupi i punës, i shoqëruar edhe nga përfaqësues të FSHF-së do të bëjë një tur në katër qytete të Shqipërisë ku do të luhen ndeshjet finale, në Tiranë, Shkodër, Elbasan e Durrës, për të vlerësuar paraprakisht infrastrukturën, terrenet sportive dhe stërvitore si dhe hotelet në këto qytete.

Më 27 nëntor, do të bëhet një kontroll i hoteleve në Tiranë ku pritet që të qëndojnë ekipet finaliste, si edhe fushat e stërvitjes dhe stadiumi “Air Albania”.  Sakaq, më 28 nëntor, përfaqësuesit e UEFA-s do të udhëtojnë drejt Shkodrës, ku gjithashtu do të vizitohen hotele të ndryshme, fushat stërvitore si dhe stadiumi “Loro Boriçi”, që do të presë gjithashtu finalet e Kampionatit Europian U-17 në vitin 2025.

Më 29 nëntor, grupi i punës ndërkombëtar do të zhvendoset drejt Durrësit, duke zhvilluar kontrolle në stadiumin “Niko Dovana”, hotele të Durrësit gjatë gjysmës së parë të ditës, ndërsa më tej vizitat do të zhvendosen në Rrogozhinë e Elbasan, për të vizituar stadiumin e Egnatias “Arena Egnatia”, si edhe stadiumin “Elbasan Arena”, që gjithashtu do të presin takimet finale të këtij kompeticioni.

Kjo është vizita e parë inspektuese e grupit të punës të ngritur nga UEFA për organizimin e ndeshjeve finale të Kampionatit Europian 2025 për djemtë e grupmoshës U-17.Në muajt në vazhdim do të ketë të tjera vizita inspektuese përpara se të të nisë puna në terren për përgatitjet e finaleve.