FIFA intervistë me Furtuna Velajn: Ylli kuqezi që provoi dy botët

Raportimet e ndeshjeve shpesh bëhen klishe dhe çdo ndeshje e radhës zakonisht përshkruhet si një betejë ose një luftë. Fatmirësisht, për shumë futbollistë, betejat dhe luftërat metaforike, janë të vetmet që ata do të njohin ndonjëherë.

Furtuna Velaj është ndryshe. Konflikti mes Kosovës dhe Serbisë e detyroi atë dhe familjen e saj të ikin nga atdheu i tyre drejt SHBA-ve kur ajo ishte vetëm shtatë vjeçe. “Isha shumë e vogël kur filloi lufta mes Kosovës dhe Serbisë dhe kur u zhvendosëm në SHBA. Shtetet e Bashkuara e kanë mirëpritur familjen time dhe ne krijuam një shtëpi këtu”, shpjegon Velaj në intervistën e dhënë për FIFA.com.

“Ne jemi shumë krenarë për vendin nga vijmë, për kulturën dhe gjuhën tonë. Prindërit e mi kanë dashur gjithmonë që ne mos ta harrojmë kurrë se nga vijmë. Unë isha shumë e vogël, por gjithsesi mbaj mend shumë gjëra nga vendi ku u rrita. Do të thoja: ‘Po, por SHBA-të janë shtëpia ime, sepse unë u rrita këtu dhe familja ime është këtu’.”

“Por në të njëjtën kohë, unë jam nga Kosova – ajo është e kaluara dhe kultura ime. Të jem e sinqertë, jam shumë me fat që familja ime erdhi këtu. Nëse do të rritesha në Kosovë, nuk e di nëse do të kisha luajtur futboll ose nëse do e kisha ndjekur këtë rrugë”, – thekson ajo. 30-vjeçarja e di mjaft mirë se çfarë mundësish të pakufishme i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë atdheu i saj i ri. Falë futbollit ajo ka pasur mundësi të shkojë në shkollë, të ndjekë kolegjin dhe të jetojë në një sërë vendesh dhe ambientesh të ndryshme.

Karriera e saj filloi në Connecticut FC, ku përveç disa trofeve, ka fituar edhe kupën e “Connecticut State”. Pas këtij klubi, ajo u bë pjesë e klubeve të tjera në SHBA, Islandë (UMF Afturelding), Kanada (Toronto Lady Lynx), Finlandë (PK 35 Vantaa), Norvegji (Kolbotn IL) dhe Gjermani (SC Sand)”.

“Unë i them gjithkujt që marr diçka nga çdo shtet ku jetoj. Në SHBA, mësova të ‘mos heq dorë kurrë’, të punoj fort deri në fund dhe të jap 100%. Kanadezët janë të njëjtë, por ato kanë pak mentalitet evropianësh kur vjen puna te futbolli. Aty luajta gjatë verës për Toronton”.

“Gjashtë nga ish-shoqet e mia të skuadrës janë pjesë e ekipit kombëtar të Kanadasë aktualisht, si Ashley Lawrence dhe Kadeisha Buchanan. Është e çuditshme se si të gjitha ato vajza me të cilat unë kam luajtur, përfunduan në ekipin kombëtar dhe unë i shikoja teksa luanin në finalet e Kupës së Botës”, thotë Velaj, e cila aktualisht luan për ekipin e New York Surf.

“Vendi që më ka influencuar më shumë është Norvegjia. Aty të gjithë janë në formë të shkëlqyer fizike dhe ai është vendi ku unë mësova rreth të ushqyerit mirë dhe se si të isha një futbolliste profesioniste. Në Finlandë, mësova se si të isha më e qetë dhe në Norvegji mësova se si të kaloja procesin stërvitor në një nivel tjetër”.

“Mendoj se më shumë kam mësuar në Gjermani dhe ai ka qenë vendi ku jam zhvilluar më shumë. Mësova shumë nga ana taktike dhe si të bëhesha më e mirë teknikisht. Gjermanët nuk vrapojnë më shumë se amerikanët, por janë më të zgjuar në fushë. E kuptojnë më mirë lojën. Nuk vrapojnë dhe nuk punojnë më shumë, por arrijnë të kuptojnë më shumë nga loja – ata thjesht e dinë se ku duhet të jenë në kohën dhe momentin e duhur. Për mua, më e vështirë është të luash kundër gjermanëve se kundër amerikanëve.”

E lindur në Deçan, Velaj është tani një qytetare e botës dhe mund të mund të ndajë njohuritë dhe përvojën e saj të gjerë me shoqet e skuadrës në kombëtaren e Shqipërisë. Thirrja për ndeshjen e parë me fanellën kuqezi erdhi në 2011-n dhe që nga ajo kohë e në vazhdim ajo e ka ndihmuar përfaqësuesen shqiptare që të ecë përpara në para-eliminatoret dhe në raundet kualifikuese të Kupës së Botës për Femra, dy herë radhazi, në vitet 2015 dhe në 2019”.

“Duke u rritur këtu (në SHBA), gjithmonë mësoja të punoja fort, mos të ndaloja dhe mos të hiqja dorë kurrë pavarësisht çdo gjëje. Mendoj se është pak mentalitet amerikan. Vajzat inkurajohen të jenë të sigurta dhe të kenë besim në vetvete. Mua më mësuan të ndiqja ëndrrat e mia, të isha agresive, të mos kisha frikë, të isha vetvetja dhe të isha e sigurt”.

“Pjesa më e madhe e shoqeve të mia të skuadrës në ekipin kombëtar të Shqipërisë janë nga Kosova, edhe sepse ne kemi rrënjë shqiptare. Mendoja se mentaliteti i tyre ishte pak më ndryshe. Ato nuk janë aq agresive dhe nuk ndërmarrin hapa.”

Sidoqoftë, Velaj e di se duhet më shumë për të patur sukses sesa thjesht të paturit e një mentaliteti të stilit amerikan. “Shqipëria është një vend i vogël dhe shembulli perfekt. Në rregull, nuk është një vend aq i fuqishëm ekonomikisht dhe financiarisht sa Norvegjia, por sipas mendimit tim, vendet skandinave janë shembulli më i mirë për një shtet si Shqipëria. Nëse shikoni aspektin e futbollit të meshkujve, shikoni çfarë bëri Islanda”.

“Një shtet me 300 mijë banorë që arriti të kualifikohej në të gjitha turnetë madhore ndërkombëtarë. Ne jemi një shtet pak më shumë se 2 milionë banorë, plus të gjithë lojtarët e tjerë që luajnë jashtë, kështu që ne kemi mundë zgjedhjesh. Është thjesht çështje mentaliteti”.

Vazhdoni të besoni te vetja, ndiqni ëndrrat dhe jepni 100%! Nëse dinamikja Velaj mund t’ia kalojë këtë mesazh brezit të ardhshëm, atëherë padyshim që Shqipëria do të jetë një skuadër për t’u ndjekur në të ardhmen.