Femrat / Konferencë për shtyp, Viona Rexhepi dhe Luçie Gjini

Ditën e sotme kanë dalë në një konferencë për shtyp dy futbollistet e kombëtares së femrave, portierja Viona Rexhepi dhe mbrojtësja Luçie Gjini. Vajzat kuqezi kanë folur në prag të dy ndeshjeve kualifikuese për EURO 2021, në 4 tetor ndaj Portugalisë në “Elbasan Arena” dhe në datën 8 tetor Finlandë-Shqipëri.

Viona Rexhepi në fjalën e saj theksoi: “Është një kënaqësi e madhe të përfaqësosh kombëtaren shqiptare, ne të gjitha jemi krenare që e veshim këtë fanellë. Atmosfera në këtë skuadër që drejton trajneri Sinani, është e mirë, fryma është shumë e ngrohtë, pozitive dhe kemi besim se mund të arrijmë rezultat pozitiv për dy ndeshjet e radhës. Në lidhje me kundërshtarët, Portugalinë nuk e njohim por Finlandën po, pasi luajtëm më herët dhe besojmë se do të bëjmë dicka. I ftoj të gjithë tifozët të vijnë të premten në “Elbasan Arena” pasi kemi nevoje për mbështetjen e tyre.”

Mbrojtësja Gjini u shpreh: “Është e rëndësishme edhe rezultati edhe loja e mirë, na ndodh shpesh që bëjmë lojë të mirë por nuk arrijmë rezultatin, mendoj se është një ngërç që duhet dhe do ta kalojmë. Kjo situatë na ndodhi edhe ndeshjen e parë me Finlandën, patëm një pjesë të parë jo shumë të mirë, pjesën e dyte luajtëm më mirë por pa pasur sukses në gjetjen e golit. Ndonjëhere është edhe fati në mes për të fituar apo për të shënuar gol. Tifozat i falenderojmë shumë, pasi gjithmonë na kanë mbështetur edhe pse rezultati nuk ka qenë ai i dëshiruari. Do punojmë shumë dhe do të vijë edhe momenti ynë për të mos pasur frikë të krahasohemi me skuadrat më të mira në futbollin e femrave.”